Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka mbledhur paraditen e së martës shefat e shërbimeve të QSUT-së, për të diskutuar masat shëndetësore me rastin e festës së fundvitit.
Sipas informacioneve të fundit, Vasili u ka kërkuar vartësve të tij një përforcim të masave, duke parë numrin e lartë të personave të prekur nga virozat e stinës në vend.
“Për shkak të virozave të shumta duhet një përforcim i gatishmërisë për vitin e ri. Kujdes fëmijët dhe të moshuarit, pasi moti i ftohtë mund të ndikojë tek shëndeti i tyre”, ka deklaruar Vasili.
Mbi 300 fëmijë paraqiten çdo ditë pranë Urgjencës së Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Mjekët sqarojnë se viroza e kësaj stine shoqërohet me temperaturë, kollë, të vjella dhe diare.
Numri i fëmijëve është i lartë, por specialistët tregojnë se ky numër vizitash është normal për këtë periudhë viti, ku qarkullojnë një sërë virozash.
Ndryshimi i herë pas hershëm i temperaturave ndikon edhe në përhapjen e virozave. Meteorologët parashikojnë se ditët festive të fundvitit do të jenë të ftohta, me temperaturat që pritet të zbresin disa gradë Celcius, duke i çuar në parametrat reale të stinës së dimrit.
Top Channel