F1, Berger: Raikkonen duhet të lërë pijen

27/12/2011 19:50

Gerhard Berger, ish-pilot austriak i Formulës 1, është i habitur nga vendimi i Kimi Raikkonen për tu rikthyer në këtë sport dhe u shpreh se piloti finlandez duhet të “ketë kujdes me vodkën”.

Berger u tregua skeptik me fjalët e Raikkonen, i cili tha se nuk kishte humbur shpejtësinë dhe motivimin.

“A do të jetë i aftë Raikkonen të arrijë sërishmajat? Them se ka 50% mundësi. Kimi është njeri i shkëlqyer, një pilot që do t’i japë ngjyra Formulës 1 dhe mendoj se kthimi i tij është gjë e mirë për sportin, por për tu rikthyer në nivele të larta duhet të ketë kujdes me vodkën dhe t’i nënshtrohet një disipline të fortë”, tha Berger për ‘Autosport’.

“Do habitesha nëse do të ketë ende forcë, ambicion dhe disiplinë për tu kthyer aty ku e la. Gjithsesi është një pilot që nuk duhet nënvlerësuar. Shpresoj që të arrijë shumë suksese në këtë rikthim”, shtoi austriaku.

Kimi Raikkonen do të jetë piloti i skuderisë Lotus Renault në sezonin 2012 pas dy vitesh ku ka munguar në pistat e Formulës 1.

Debutimi i Raikkonen ishte në vitin 2001 me Sauber, për të kaluar më pas tek McLaren dhe Ferrari ku me këtë të fundit fitoi titullin kampion bote në 2007.

Top Channel