Topi: Nëse voton populli, unë fitoj

26/12/2011 00:00

Një ditë pas Krishtlindjeve, Presidenti i Republikës Bamir Topi i është përgjigjur nga Durrësi deklaratave të kryeministrit Berisha dhënë në një intervistë për Ora News dhe rimarrë gjerësisht nga shtypi i përditshëm.

Sipas kryeministrit, presidenti Bamir Topi e ka shndërruar presidencën në një partickë dhe është treguar mosmirënjohës ndaj Partisë Demokratike që e zgjodhi president.

Ndër të tjera në këtë intervistë kryeministri thotë se në një republikë parlamentare presidenti drejton si simbol i një mirëkuptimi sa më të gjerë të mundshëm, i një qëndrimi sa më të balancuar, por jo armiqësor ndaj mazhorancës, sepse cdo qëndrim armiqësor ndaj mazhorancës të nxjerr jashtë Kushtetutës.

Duke iu përgjigjur kësaj, presidenti thekson se pavarësisht të shkuarës së tij, ai nuk është apendiks i asnjë partie.

“Presidenca nuk mund të shkojë sipas orekseve të partive, të jetë apendiks i tyre, cilado që është prejardhja politike e presidentit. Presidenti do të mbetet president deri në sekondin e fundit të mandatit. Nuk do kandidoj për një mandat tjetër, vetëm nëse zotërinjtë që kanë në dorë ndryshimet kushtetuese bëjnë që presidenti të zgjidhet nga populli. Nëse kjo bëhet, edhe pse është shumë e zorshme pasi politikanët i druhen verdiktit popullor, unë do të jem në garë. Ata që kanë frikë për të ardhmen politike është cështja e tyre. Nuk është faji im nëse unë bëhem obsesion i të tjerëve”, ka deklaruar Topi.

Këto deklarime presidenti i bëri pas një dite të ngjeshur me takime, ku në Durrës vizitoi shtëpinë e fëmijëve dhe dekoroi personalitete të qytetit dhe shoqatën Durrësi, kurse në Kavajë vizitoi shtëpinë e të moshuarve dhe pati një takim me drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.

Berisha: Topi ka ndërtuar në Presidencë selinë e partisë

Kryeministri Sali Berisha e akuzoi dje ashpër kreun e shtetit, Bamir Topi, për sa i përket asaj që ai e quajti “zbatimin e Presidencës nga një partiçkë”.

Përgjatë një interviste televizive, kreu i qeverisë theksoi se tashmë kreu i shtetit ka shpallur edhe nënkryetarët e partisë së tij dhe po e përdor Presidencën si një makineri elektorale për fushatat e ardhshme që do të ndërmarrë.

“Topi po dekonstitucionalizon institucionin e Presidencës, duke e kthyer atë në një seli të një partiçke të vogël, duke shënuar një akt të paprecedent. Ai ka përcaktuar dhe nënkryetarët e partisë dhe shfrytëzon pozicionin, duke dëmtuar thellë funksionet e kryetarit të shtetit”, deklaroi Berisha, duke theksuar se Presidenti ka harruar të merret me funksionet e tij. Kreu i qeverisë e lidhi partinë e Bamir Topit me Aleancën Kuq e Zi, që drejtohet nga kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Sipas tij, ky organizim tregoi se nuk ishte as një për qind e popullsisë së vendit, nisur nga dështimi që pati për të dëmtuar procesin e censusit.

“Partia e tij bëri propagandën më të ashpër kundër censusit dhe nënkryetari i Presidentit i binte vendit kryq e tërthor me slogane kundër pakicave të vendit. Presidenti heshti si fija e barit, sepse ai që fliste ishte nënkryetari i tij”, theksoi kreu i qeverisë, duke nënkuptuar me nënkryetar të Presidentit, Kreshnik Spahiun. Në lidhje me deklarimin e Bamir Topit se këta ishin muajt e fundit të Presidencës së tij, Berisha theksoi se ky pohim kishte ardhur dy javë pasi ai vetë i kishte ndërprerë çdo rrugë për ta kandiduar si President. “Kjo deklaratë e tij erdhi dy javë pasi unë ua bëra të qartë shqiptarëve se ai nuk do të jetë më kandidatit i shumicës. Do të ishte më mirë sikur deklarata e tij për ndarjen nga posti i Presidentit të kishte ardhur tri javë më parë”, ironizoi Berisha.

 Po kështu Berisha e quajti Topin një “të djathtë që këndonte majtas” dhe kishte humbur çdo lidhje me vetë të djathtën, e cila e kandidoi si President. Kjo, sepse, sipas tij, Topi nuk kishte pranuar të dekretonte ligjin e lustracionit dhe kishte pasur një implikim të rëndë në ngjarjet e 21 janarit, ku humbën jetën katër protestues. Në lidhje me procesin e përzgjedhjes së kandidaturës së Presidentit të ardhshëm të Republikës, Berisha theksoi se ai dhe Partia Demokratike do të zbatonin Kushtetutën në çdo pikë të saj. Nisur nga kjo, kreu i qeverisë theksoi se kandidatura e PD-së për Presidentin e ardhshëm do të ishte një figurë e lartë e demokratëve, të cilët aktualisht drejtojnë edhe qeverinë. Sipas Berishës, PD-ja nuk mund ta zgjidhte dot një kandidaturë si ish-kryeministri socialist, Fatos Nano për këtë post, që pas ndryshimeve të fundit të Kushtetutës i takonte mazhorancës për ta përzgjedhur.

Top Channel