“Shqipëria Tjetër”: SOS Saranda

26/12/2011 21:15

Ka qenë perla e bregdetit shqiptar, qyteti ku natyra kishte derdhur pa kursim, bukurinë dhe hijeshinë e saj, por sot është kthyer në një qytet të shpërfytyruar, me ndërtimet gjithmonë e më të larta që po ngrihen në qendër të qytetit dhe betonin që po i merr frymën.

Saranda e sotme dergjet e masakruar, në apelin për një ndërhyrje të menjëhershme në shpëtim të saj. Në më pak se 20 vjet, qyteti ka humbur tërësisht identitetin e tij, duke u kthyer nga qyteza joshëse e dikurshme, në ferrin aktual të krijuar nga ndërtimtaria e shthrrur që ngrihej gjithandej.

Në Sarandë, çdo ndërtim që ngre krye ka një histori të tijën, një histori të çuditshme ligjesh që transformohen e përshtaten, përdoren e dhunohen sikur të ishin një vargan vargjesh të pavlera.

Në zonën arkeologjike A, të paktën ligjërisht, është e ndaluar të ndërtohet, siç konfirmohet edhe në hartat zyrtare, por përtej shkresave zyrtare, kjo zonë është sot e mbytur me ndërtime disa katëshe, që zhdukin plotësisht pjesën arkeologjike.

Punimet e lejuara nga Bashkia në periudhën 2010-11, janë miratuar në heshtje edhe nga organi përgjegjës për mbrojtjen e kësaj zone, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare. Vetëm pas këmbënguljes së ekspertëve të ri të ardhur pas zgjedhjeve të majit 2011, ky institucion është shkundur, duke dhënë alarmin për prishjen e kësaj zone.

“Në një moment, nga ndërhyrja e Bashkisë është pezulluar ndërtimi i njërës prej këtyre godinave dhe ka shkuar problem në gjyq. Por, në gjyq ka fituar subjekti ndërtues”, shprehet Spiro Kosta, drejtor i Drejtorisë së Urbanistikës Sarandë. Me gjyqin e fituar, ndërtuesit dhe shkatërrimi i zonës më të rëndësishme të qytetit ka vazhduar.

Në pak kohë, Gjykata e Rrethit ka hedhur poshtë edhe tre kërkesa të tjera të Bashkisë për të bllokuar ndërtimin nga ana e subjekteve të ndryshme, edhe pse në dosje ka patur shkelje më shumë se flagrante. Vendimet janë marrë në kohë rekord për ndërtuesit, duke argumentuar edhe dëmin ekonomik që u është shkaktuar ndërtuesve, të lënë hapësirë për të dyshuar për betejat e humbura njëra pas tjetrës në Sarandë.

Në lejet e rregullta të ndërtimit, shkeljet janë të zakonshme. Përshembull, është e zakonshme që në ndërtesat e miratura nga KRT për gjashtë kate, të shohësh një ose më shumë të tilla të realizuara. Janë të shumtë edhe projektet me shkeljet drastike nga plani fillestar, ndryshime dhe falsifikime në ndërtesën përfundimtare, deri në 600 metra katror abuzim, të quajtur në dokumentat zyrtare “kioska të thjeshta për tregëti”.

“Edhe ne ekspertët pyesim veten se çfarë mund të bëjmë ende për të shpëtuar qytetin”, pranon me dëshpërim Erina Misha, specialiste dhe arkitekte në Zyrën e Urbanistikës.

Sipas shifrave zyrtare, në shtatë vitet e fundit, në periudhën 2004-11 janë dhënë 1238 leje ndërtimi, një shifër e frikshme kjo edhe për një kryeqytet si Tirana dhe jo më për një qytet që dikur numëronte vetëm disa mijëra banorë. Bie në sy fakti që 35% të të gjithë këtyre lejeve janë dhënë në periudhën 2010-11, me sa duket me qëllim të saktë artificial.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA