Fillimi i sezonit 2011-12 ishte një prej më të këqijve të Interit, që gjithsesi, nëpërmjet katër fitoreve radhazi, arriti të rikuperonte diçka dhe të mbyllte fazën e parë në vendin e pestë.
Në një situatë të tillë negative, pa dyshim që elementet ndikues janë disa, por mbi të gjitha, ishte një merkato jashtëzakonisht e dobët e verës. Siç vlerëson “La Gazzetta dello Sport”, futbollistët e mbërritur në skuadër kanë qenë shumë larg nivelit të pritur prej tyre dhe këtë e tregojnë edhe notat që kanë marrë në ndeshjet që kanë zhvilluar.
Ricky Alvarez. i ardhur nga Argjentina, ka qenë më i miri në këtë renditje, duke patur notën 5,94 në tetë ndeshje të luajtura. Sulmi është shfaqur jashtëzakinisht problematik. Zarate, në 12 ndeshje të luajtura ka fituar notën mesatare 5,45 (nga dhjetë), ndërsa Forlan në gjashtë ndeshje ka fituar notën mesatare 5.42. Megjithatë, më i keqi nga të gjithë ka qenë “talenti” Castaignos, i aktivizuar në katër ndeshje dhe që nuk ka marrë kurrë më shumë se gjashtë. Mesatarja e tij është 5,25.
Në mbrojtje, Nagatomo gjithashtu është shumë larg nivelit mesatar të skuadrës dhe ndonëse ka shënuar në dy ndeshjet e fundit, vlerësimet për të mbeten të ulta. Problematik për Interin mbetet edhe fakti që edhe veteranët Lucio, Samuel e Chivu gjithashtu janë shumë larg nivelit të tyre të pritur.
Top Channel