Gotze “i shkel syrin” Barcelonës

26/12/2011 09:45

“Barcelona është një ëndërr. Të gjithë futbollistëve do i pëlqente të luanin për katalanasit.”

Këto janë deklaratat e Mario Gotze, futbollistit të talentuar të Borussia Dortmund, për ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’. 19-vjeçari është një nga talentet më premtuese të futbollit gjerman dhe është gjithashtu një nga më të kërkuarit në merkato.

Gazeta tjetër gjermane ‘Bild’, publikon se Arsenali është i gatshëm të ofrojë 40 milionë euro për të dhe se interesim ka shfaqur edhe Real Madrid për mesfushorin.

“Nuk e di se sa konkrete janë ofertat që publikohen në shtyp dhe unë nuk kam në plan të ndërroj ekip për momentin, por jam i nderuar që klube të tilla më ndjekin”, është shprehur lojtari i Borussia Dortmund.

‘Bild’ e ka përfshirë 4 herë Gotze-n në formacionin më të mirë të javës deri në këtë fazë të sezonit, ndërsa ‘Welt am Sonntag’, në një sondazh me lexuesit, e renditi të parin si futbollistin më të mirë të Bundesligës duke lënë pas Thomas Muller, Raul Gonzalez dhe Arjen Robben.

Top Channel