Messi, “Kampioni i Kampionëve”

24/12/2011 00:00

Franca kurorëzon Lionel Messi-n. Ylli argjentinas i Barcelonës është
zgjedhur “Kampioni i kampionëve 2011”, në klasifikimin e së përditshmes
“L’Equipe”.

Messi ka dalë me 807 pikë përpara numrit një në botë të tenisit, serbit Novak Djokovic, me 699 pikë dhe pilotit fenomen të Formula 1, Sebastian Vettel me 255 pikë.

Futbollisti argjentinas, dy herë fitues i Topit të Artë, është në garë për titullin e tretë, që sipas gjasave do t’i dorëzohet më 9 janar të vitit të ardhshëm.

Tre ditë më parë, Messi u shpall sportisti më i mirë argjentinas i vitit 2011, cmim që e mori për herë të parë në karrierën e tij.

Sulmuesi i Barcelonës mundi konkurrencën e Gonzalo Higuain dhe Sergio Aguero, shokët e tij në kombëtaren bardhekaltër.

Cmimi për sportistin më të mirë të vitit në Argjentinë jepet nga Rrethi i Gazetarëve Sportivë të vendit amerikano-latin.

Messi sapo ka mbyllur një vit të shkëlqyer me Barcelonën. “La Pulga” fitoi pesë tituj me katalanasit, i fundit prej të cilëve Botërori i Klubeve në Japoni. Gjithashtu, ai ka shënuar 59 gola në 70 ndeshjet e këtij sezoni.

Ndërsa muajin e kaluar, Leo fitoi cmimin Onze D’Or që jepet nga revista franceze “Onze Mondial”, pasi mori votat e mbi 70 për qind të lexuesve.

Javën e kaluar presidenti i UEFA-s, Michel Platini votoi atë për Topin e Artë, duke shprehur bindjen e tij se argjentinasi e meriton plotësisht këtë vlerësim.

Top Channel