Superliga, mbyllet faza e parë

23/12/2011 00:00

Teuta dhe Tirana humbasin pikë në javën e fundit të fazës së parë duke bërë që diferenca mes dy skuadrave kryesuese të mbetet po 5 pikë, ndërkohë që Dinamo më në fund del nga “frigoriferi” duke u ngjitur në kuotën e 1 pike.

Teuta barazoi 1-1 me Kastriotin duke e mbyllur me barazim vitin 2011. Golit të Pepës në pjesën e parë krutanët ju kundërpërgjigjën me atë të Turdiut, 1 pikë kjo që e ngjit Kastriotin në vendin e 4 me 23 pikë.

Barazoi edhe Tirana në këtë javë 0-0 me Kamzën. Rastet për shënim në pjesën e dytë nuk u shfrytëzuan nga asnjëra skuadër duke bërë që Tirana të mbetet në kuotën e 27 pikëve.

Një javë pas fitores së thellë me Shkumbinin, Shkëlqim Muça dhe Flamurtari i tij ndalen në Laç në barazim pa gola.

Është mundur 2-1 nga Shkumbini Vllaznia e Rudi Vatës, e cila po tregon se është e paqëndrueshmne në rezultatet e saj. Protagonisti i peqinasve ishte kapiteni Dervishi, ai që shënoi dy golat për Shkumbinin.

Tomori fitoi 2-0 ndaj Apolonisë, fitore kjo që bën rrokadën mes këtyre dy skuadrave në klasifikimin e Superligës. Beratasit ngjiten në vendin e 12 ndërsa fierakët zbresin në vendin e 13. Bakiu dhe Shameti janë autorët e golave për skuadrën e Tomorit.

Goli i portierit Osmani me 11-metërsh e ka ndihmuar Dinamon të barazojë 1-1 me Bylisin dhe ta mbyllë fazën e  parë me 1 pikë.

Ndeshja e fundit e kësaj jave do të jetë ajo mes Skënderbeut dhe Pogradecit, e cila është shtyrë për 8 shkurtin e vitit të ardhshëm për shkak të reshjeve të dëborës.

Top Channel