Lindshmëria, problem i së ardhmes

23/12/2011 08:40

Lindshmëria në Shqipëri ka rënë në mënyrë drastike gjatë dy dekadave të fundit dhe është aktualisht poshtë nivelit të zëvendësimit, por rënia e popullatës e shënuar në dekadën e fundit i dedikohet tërësisht emigrimit dhe aspak lindshmërisë së ulët, vlerëson gazeta “Shqip” në numrin e së premtes.

Vlerësohet se lindshmëria në Shqipëri, një tregues që mat numrin e fëmijëve për grua në moshë riprodhuese, ka rënë në 1.4, nga 2, që ishte në vitin 2000 dhe tre e vitit 1990.

Kjo do të thotë se fëmijët e lindur sot në Shqipëri, nuk mjaftojnë për të zëvendësuar prindërit. Por, kjo gjë pritet të japë efekt pas disa dekadash. Gjatë periudhës 2001-2008, në Shqipëri kanë lindur 333 mijë vetë dhe kanë vdekur 132 mijë vetë.

Shtesa e popullsisë për këto tetë vite duhej të qe së paku 200 mijë vetë. Por, këta njerëz munguan në censusin e kryer në tetor për shkak se mbi 400 mijë vetë kanë emigruar në drejtim të vendeve fqinje.

Kryeministri Sali Berisha i kushtoi pak vëmendje problemit të rënies së popullatës në Shqipëri gjatë dekadës së fundit kur përshëndeti shpalljen e rezultateve të censusit të mërkurën.

“Zhvillimi tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është se akoma janë të mira ritmet e shtimit të popullatës. Ka një tendencë në rënie, por në çdo moment kërcënimi qeveria është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha masat për të mbështetur politika demografike në interes kombëtar”, – tha Berisha.

Ka një tendencë të përgjithshme për të anashkaluar faktin se rënia e popullatës është pasojë tërësore e arratisjes nga vendi të shumë brezave të të rinjve që nuk gjejnë asnjë mundësi tjetër në vend.

Vlerësohet se rreth 30 mijë shqiptarë çdo vit hyjnë në moshë madhore ndërsa tregu i brendshëm i punës në sektorin jobujqësor ka krijuar gjithsej 20 mijë vende punë në dhjetë vjet.

Për ata që jetojnë në fshat, situata është edhe më dramatike për shkak se toka nën pronësinë e familjeve fshatare shqiptare është më pak se 1 hektar dhe se kjo sipërfaqe është e pamjaftueshme për t’i dhënë punë mbi 560 mijë shqiptarëve që sipas llogarive të qeverisë, janë të vetëpunësuar në bujqësi.

Për rrjedhojë, është e qartë se shumica e të rinjve vendosin të ikin dhe një pjesë e madhe e tyre, pavarësisht se rezultojnë të papunë afatgjatë apo të vetëpunësuar në bujqësi, në të vërtetë janë duke punuar emigrantë nëpër Europë.

Ndërkohë, numri i lindjeve ka rënë në Shqipëri nga 51 mijë në vitin 2001, në vetëm 36 mijë në vitin 2008. Përsa i përket numrit të vdekjeve, ai ka mbetur konstant në rreth 16 mijë vetë. Shtesa e popullsisë shqiptare (përfshirë edhe ata që nuk jetojnë në Shqipëri), ka rënë nga 38 mijë në vitin 2001, në 20 mijë në vitin 2008.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA