Totozani emërohet Avokat i Popullit

22/12/2011 19:35

Igli Totozani, i përzgjedhuri i Partisë Socialiste për Avokat të Popullit mori 127 vota “pro” në seancë plenare, duke u bërë kështu emri i dytë që do të drejtojë këtë institucion pas Ermir Dobjanit.

Zoti Dobjani kishte aplikuar pranë Partisë Socialiste, por komisioni i ngritur nga kjo parti përzgjodhi mes 33 kandidatëve Igli Totozanin. Kandidatura e tij nuk kishte asnjë dyshim që do të kalonte në Kuvend, pasi caktimi i Avokatit të Popullit prej opozitës ishte një angazhim i hershëm i kryeministrit Berisha.

Zoti Totozani ka mbaruar me medalje ari Universitetin Juridik të Tiranës dhe me urdhër te veçantë nderi në Gjeneve. Eshtë doktor shkencash dhe ka qenë aktiv në projekte mbi te drejtat e njeriut ne burgje, si dhe është angazhuar në media si analist për çështje të ndryshme.

Nga Brukseli, Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, ka përshërndetur mënyrën se si u finalizua ky proces të cilin e cilëson si një hap të rëndësishëm në konsolidimin e dialogut ndërmjet shumicës qeverisëse dhe opozitës.

 « Përshëndes këtë zhvillim i cili shtron rrugën për përmbushjen e njërit prej 12 prioriteteve kyç të identifikuar nga Komisioni Evropian në Opinionin për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është një tjetër shenjë e impulsit të ri që Shqipëria po fiton në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Shpresoj që në vitin 2012 të ketë të tjera zhvillime pozitive lidhur me fushat e tjera prioritare. » thotë Fyle.

Ndërsa kreu BE-s në Tiranë, Ettore Sequi, duke përshëndetur zgjedhjen e Totozanit në postin e Avokatit të Popullit ka përgëzuar Kuvendin e Shqipërisë dhe forcat politike për emërimin me sukses dhe në një mënyrë transparente dhe të hapur.

Vlerësoj gatishmërinë e qeverisë për të votuar kandidatin e propozuar nga opozita. E përshëndes këtë emërim, si pjesë të prioriteve kyçe të opinionit për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.Votimi i Totozanit  si Avokat i Popullit u përshëndet edhe nga prezenca e OSBE-së në Tiranë, mandati i së cilës mbulon edhe të drejtat e njeriut.

Top Channel