Këtë herë futbolli italian po dridhet vërtet me përmasat e “Calciopoli” të dikurshëm. Kanë mjaftuar dy marrjet e para në pyetje të prokurorëve të Kremonës për të dhënë përshtypjen se faza e dytë e trukimit të ndeshjeve në Itali, mund të hapë skenarë akoma më të mëdhenj se ata të 2006-s.
Nuk kanë munguar pohimet e protagonistëve për rrjetin ilegal të basteve që shtrihej nga Singapori, e deri në Sllovaki dhe në Shqipëri. Dy prej të arrestuarve, Alesandro Xamperini dhe Filipo Karobio kanë rrëfyer detaje të rëndësishme të mënyrës sesi manipuloheshin ndeshjet, 22 nga të cilat janë luajtur në Serinë A.
Personazhi kyc për momentin është kapiteni i Atalantës, Kristiano Doni rreth të cilit zhvillohen të gjitha aksionet për trukimin e sfidave. Ky skandal po trondit strukturat drejtuese të të gjitha kategorive profesioniste në Itali dhe gjatë hetimeve përmendet edhe Shqipëria, si vend bazë e një filiali të organizatës së fuqishme aziatike të trukimit të ndeshjeve.
Dyshohet se bosi i rrjetit të paligjshëm të basteve sportive është një aziatik i quajtur Ten Set Eng. Ai ka shtrirë rrjetin e tij të basteve edhe në Europë me dy filiale, Sllovaki dhe Shqipëri.
Top Channel