Mjekësia moderne, doktori propozon

22/12/2011 00:00

Nga doktori që dikur thoshte: “kjo është sëmundja, kjo është kura”, te
specialisti që sugjeron: “në bazë të kësaj diagnoze, ju propozoj dy
rrugë terapeutike dhe po ju shpjegoj cilat janë avantazhet dhe
disavantazhet e secilës.

Ju zgjidhni”. Kështu mund të përmblidhet kalimi nga mjekësia e dikurshme, te kjo “moderne”. A mund të ekzistojë një marrëdhënie e barabartë mes mjekut dhe pacientit? Vërtetë duam të dëgjojmë se vendimi na takon neve? “Që në fund të viteve ’70 ka pasur një zhvillim të përgjithshëm kulturor dhe kanë lindur instrumente të ndryshme për mbrojtjen e pacientit”, – bën të ditur një docent i sociologjisë. Pavarësisht se sot jemi gjatë gjithë kohës në kontakt me informacionin, nuk do të thotë se ekziston një barazi mes mjekut dhe pacientit. Informacioneve që merren nga interneti u mungon ‘hierarkia’ dhe kjo bën që të ndodhin gabime. Madje, sot doktorit i duhet “t’i heqë” informacione pacientit sesa t’i japë. “Doktori ka pushtet mbi trupin e jetën tonë dhe kjo e bën të fortë, pavarësisht se përpara mund të ketë një pacient tepër të përgjigjshëm dhe të përgatitur që dëshiron të dijë gjithçka. Kjo nuk ndodh vetëm me pacientët që vuajnë nga ndonjë sëmundje dhe duan të shërohen menjëherë. Zhdukja e pjesshme e mjekësisë ‘së vjetër’ lexohet edhe në faktin se mes dy palëve në lojë ka hyrë teknika e re. Gjithçka nisi me zbulimin e stetoskopit, që ishte instrumenti i parë i cili me kalimin e viteve u bë pjesë e pandarë e doktorëve”, – thotë docenti. Çështja që duhet analizuar vërtetë është nëse duhet ose jo t’i lihet në dorë zgjedhja e kurës pacientit. “Nuk besoj që ky proces ka filluar nga mjekët: jemi ne ata që kemi nevojë të shndërrojmë në sëmundje gjithçka që nuk na pëlqen, pasi jemi të fiksuar nga miti i bukurisë dhe rinisë së përjetshme. Kjo gjë e fuqizon edhe më shumë figurën e mjekut”, – shton docenti. Por cila është zgjidhja e duhur? A ka pacientë që duan të dëgjojnë gjithçka? “Ka raste kur mjeku duhet t’i tregojë të vërtetën pacientit, pavarësisht vullnetit të të sëmurit për të ruajtur të tjerët që mund të infektohen prej tij (bëhet fjalë për sëmundjet ngjitëse), këtu përfshihet SIDA dhe në përgjithësi të gjitha sëmundjet infektive që cilësohen të veçanta”, – thekson një specialiste e sëmundjeve infektive. “Përveç kësaj, nga studimet tona kemi vënë re se sa më shumë të dijë pacienti, aq më shumë e mbështet terapinë. Megjithatë, edhe në këtë rast pacienti duhet të dijë të dëgjojë në fillim, pastaj të japë mendimin e tij, duke pasur parasysh faktin që ndonjëherë simptomat edhe na gënjejnë. Çdo sëmundje ka simptomat e veta dhe secila prej tyre ka karakteristikat e veta, ndaj mjekut i duhet treguar gjithçka me hollësi. Duke u mbështetur gjithmonë te sociologjia, dimë edhe diçka tjetër: sa më i kulturuar të jetë pacienti, aq më shumë do të dijë dhe meqë niveli kulturor është në rritje, numri i personave që kërkojnë të dinë gjithçka rreth sëmundjes së tyre do të jetë gjithnjë e më i lartë”, – thekson një psikolog.

Në fakt, ky fenomen vërehet vetëm te një pakicë e vogël e popullsisë së botës, rreth 10%: në Europë, Shtetet e Bashkuara, në një pjesë të Kanadasë, Australi, Zelandën e Re. Te ky 10 përqindësh futet edhe një shtet tjetër i pasur siç është Japonia, ku marrëdhëniet me institucionin sjellin një model që vlen edhe për mjekun.

“Një rol të rëndësishëm për gjithçka thashë më lart luan edhe kirurgjia estetike, barnat që ndikojnë te emocionet, që nuk kurojnë, por të ndihmojnë të ndihesh alegro, produktet që përmirësojnë performancën seksuale. Këtu pozicioni i pacientit, që veç të tjerash paguan nga xhepi i tij, ndryshon krejtësisht. Kjo gjë vë në përballje mjekët, të cilët bëjnë një luftë të pamëshirshme përmes reklamave, duke e nxitur pacientin të zgjedhë medoemos njërin prej tyre dhe duke e bërë atë të zgjedhë se s’bën diçka”, – shton më tej ai. “Edhe kjo përfundon duke i dhënë më shumë hapësirë mjekëve, por jo më pushtet, duke qenë se pacienti është i detyruar të firmosë një ‘kontratë’ që parashikon disa standarde të caktuara. Natyrisht që pacienti nuk mund të krahasohet me doktorin, pasi ky i fundit ka më shumë informacione, megjithatë është ‘klienti-pacient’ që e bën të funksionojë lidhjen mjek-pacient”, – përfundon psikologu.

Top Channel