FMN: Ulni borxhin, e ardhmja me të papritura

22/12/2011 08:45

Askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë na pret në 2012-n, por deri në përballjen me të papriturat, rekomandohen masa të qarta për ruajtjen e ekonomisë.

Në thelb, raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar paralajmëron vendet e rajonit se kriza ekonomike dhe sfidat për ta kapërcyer janë të mëdha.

FMN-ja thotë se të gjitha vendet janë të rrezikuara, madje edhe Shqipëria, që edhe pse “ka kapërcyer me sukses krizën e vitit 2009, përmes reformave, sërish ka ende pasiguri për të ardhmen.

Ekspertët italianë të FMN-së, që kanë hartuar raportin e publikuar dje, mbi efektet e krizës në Europën Juglindore, vërejnë se 6 vendet, si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Kroacia dhe Bosnja janë duke ndier në mënyrë të dukshme efektet negative botërore të financave.

“Këto vende ndodhen nën presion për të financuar borxhet e jashtme, borxhin e brendshëm, por edhe buxhetet qeveritare”, thekson raporti.

Shqipëria

Duke u ndalur te vendi ynë, ekspertët e Fondit Monetar nuk kanë lënë pas situatën me borxhin publik, i cili ndodhet shumë pranë nivelit 60 për qind, dhe që kërcënon ekonominë për shkak të kostove për shlyerjen e detyrimeve.

Shqetësimi i institucionit të lartë monetar lidhet me mungesën e masave të nevojshme për të përballuar të ardhmen, të paktën deri në 2013-n.

Pika ku qeveria shqiptare nuk përputhet me FMN-në është niveli i huas, pasi Fondi sugjeron uljen deri në 50 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërsa Kryeministri ka deklaruar se nuk do ta kalojë mbi 60 për qind, pasi në të kundërt reduktimi do të shkaktonte pasoja.

Në fakt, vetë FMN pranon se marrja e masave për uljen e borxhit do të kërkonte një disiplinë të fortë fiskale, siç janë ulja e shpenzimeve dhe rritja e taksave.

Prej kohësh FM-ja thotë se për vendin do të ishte më mirë rritja e tatimit mbi të ardhurat dhe fitimeve për bizneset, si dhe një rishikim të masës së kontributeve.

Në raport thuhet se, shumë shpejt edhe Shqipëria e Kroacia mund të ndjekin shembullin e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, duke marrë masa drastike për shkurtimin e shpenzimeve dhe shtim të taksave.

Sa u takon rekomandimeve mbi bankat, Fondi thotë se nevojitet një mbikëqyrje më e fortë, kurse për biznesin nevojiten reforma strukturore për të përmirësuar klimën.

Kushtet

Kushtet e rënda financiare po detyrojnë autoritetet shqiptare të rishikojnë mundësinë e një marrëveshjeje të re me FMN. Këtë fakt e pranoi dhe ministri i Financave kur tha se “nëse do të jetë e nevojshme dhe në kushtet e emergjencës do t’i drejtohen Fondit për financime”.

Aktualisht shumë vende të rajonit kanë marrë kredi te FMN-ja me kushte të buta tek interesat, kurse për vendin tonë institucioni financiar ndërkombëtar është shprehur gjithnjë i hapur për bashkëpunim.

FMN-ja ka ofruar disa këshilla për menaxhimin e situatës makroekonomike të vendit, këshilla që janë publikuar te raporti vjetor. Por këto këshilla ka gjasa që të kthehen në kushte përkundrejt dhënies së ndihmës financiare.

Rritja e taksave si mjet për të ulur borxhin publik, dhe indirekt, ulja e pagave të sektorit publik e privat, si pasojë e rritjes së taksave, rritja e masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, rinisja e reformës së pensioneve (rritja e moshës) etj., janë disa nga rekomandimet e hedhura nga FMN-ja në raportin e fundit për Shqipërinë.

Sipas Fondit, Shqipëria e ka të domosdoshme ta ulë borxhin publik në 50 për qind të PBB-së brenda disa viteve dhe kjo gjë është e mundur përmes kursimeve në masën 1.5 2 për qind të PBB-së, e barasvlefshme me 150-200 milionë euro.  
 
“Shqipëria e ka të domosdoshme ta ulë borxhin në 50%”, thotë FMN, por kjo realizohet nëse kursimet janë 2% të PBB.

Buxheti

FMN thotë se duhet ulur borxhi publik në 50 për qind në raport me PBB-në, nga 60 për qind që është aktualisht.

Bankat

Për sistemin bankar tregtar në vend, Fondi Monetar rekomandon rritjen më të fortë të masave mbikëqyrëse.

Biznesi

Duket se klima e biznesit në vend nuk paraqitet edhe aq pozitive, prandaj sugjerohen reforma strukturore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA