
Erjon Bogdani, ky është emri që drejtuesit e klubit të Serisë B, Varezes,
kërkojnë. Klubi nga Lombardia është në kërkim të përforcimeve për
sulmin dhe tani synon shqiptarin e Çezenës.
Kjo është konfirmuar nga drejtori sportiv i Varezes, Mauro Milaneze. “I kemi kërkuar klubit romanjol lojtarin. Bëmë një ofertë verën e kaluar dhe morëm një përgjigje negative për sa i përket merkatos së transferimeve. Çezena ka kërkuar kohë dhe do të diskutojmë sërish pas Krishtlindjeve”, u shpreh drejtori sportiv i Varezes. Erjon Bogdani e filloi karrierën me Partizanin, ku luajti për katër sezone.
Më pas u ble nga skuadra e Dinamos së Zagrebit dhe u aktivizua për dy vjet. Aventura e tij në Serinë A daton në vitin 2000, kur dhe veshi bluzën e Rexhinës deri në 2005-n. Me këtë skuadër nuk pati shumë sukses dhe pas tre vjetësh u huazua te Salernitana në Serinë B dhe më pas u huazua përsëri në kategorinë e dytë në Itali, por kësaj here te Verona. Me këtë skuadër kaloi një vit të suksesshëm ku shënoi 17 gola, një rekord për një shqiptar që luan jashtë vendit. Më pas 34-vjeçari shqiptar ka veshur edhe bluzën e Sienës, Kievos, Livornos (i huazuar) dhe së fundmi të Çezenës. Bogdani është një nga lojtarët më në formë që luan jashtë Shqipërisë. Me Kombëtaren kuqezi ka shënuar deri tani 15 gola në 63 ndeshje të luajtura.
Top Channel