Del Piero: Mbyllëm vitin në krye të klasifikimit

22/12/2011 15:20

Alessandro Del Piero i ka dërguar tifozëve të tij një mesazh qetësie pas barazimit të Juventusit në Friuli ndaj Udinezes.

Në faqen e tij zyrtare në internet, kapiteni i bardhezinjve ka shkruar: “22 dhjetor… Krishtlindjet po afrojnë dhe pas barazimit me Udinezen jemi në vend të parë në klasifikim, edhe pse me pikë të barabarta me Milanin. Një mbyllje shumë e mirë e vitit 2011 dhe një motivim për ta nisur fuqishëm vitin 2012.”

“Bashkëjetesa” në krye të klasifikimit me kuqezinjtë do të vazhdojë për Juven edhe në Dubai, ku Viti i Ri do i gjejë të dyja ekipet në një faze të shkurtër përgatitore.

Juventus me barazimin 0-0 e së mërkurës vazhdon të jetë i pamposhtur në Serinë A dhe për këtë trajneri Antonio Conte është shumë i lumtur.

“Treguam se jemi një skuadër e madhe. Jam i kënaqur sepse në këtë sezon ende nuk e kemi provuar humbjen. Nëse do e bëja në qershor këtë parashikim do më merrnin për të çmendur”, theksoi Conte.

Top Channel