Tregtia, “përplasje” Shqipëri-Kosovë

21/12/2011 20:15

Kosova mund të vendosë çmime reference ndaj prodhimeve të Shqipërisë nëseTirana zyrtare nuk e heq taksën e referencës për produket e Kosovës, sipas marrëveshjes së arritur në qershorin e 2011.

Një vendim i tillë mund të merret nga Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, pasi sipas saj Shqipëria ka shkelur marrëveshjen e arritur me Kosovën për heqjen e çmimeve të references për produktet kosovare, siç janë patatja, qumështi, vera, etj.

Për këtë arsye, zonja Kusari-Lila i ka drejtuar një letër Qeverisë së Shqipërisë për heqjen e disa masave që po aplikohen nga Doganat e Shqipërisë në të kundërtën do të vendosen çmimet e referencës.

Marrëveshja për heqjen e çmimeve të referencës ishte arritur në qershor të këtij viti pas disa takimeve në nivel ministror, por Doganat e Shqipërisë po aplikojnë çmimin prej 18 cent për pataten e prodhuar në Kosovë, si dhe kuotë për eksportin e verës.

“Të dy këto vendime nga ana e Shqipërisë në kundërshtim me marrëveshjen e arritur me kryeministrin Berisha në muajin qershor për unifikimin e procedurave fiskale, Kosovë-Shqipëri. Nëse Shqipëria nuk heq taksën e referencës atëherë do të vendosim masën e reciprocitetit”, deklaron Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Për të gjitha këto zhvillime zonja Kusari-Lila ka njoftuar edhe kabinetin e Qeverisë së Kosovës, që sipas saj, ky nuk është një lajm i mirë për prodhuesit e patates në Kosovë, dhe është një kthim në pikën zero në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.

E pyetur nëse kjo është një masë e reciprocitetit, e përfolur mjaft kohëve të fundit në Kosovë, ministrja tha se kjo është një masë që merret për të mbrojtur prodhuesit kosovarë.

Top Channel