Në një kohë kur flitet për politika favorizuese ndaj biznesit dhe furnizim 24 orë me energji elektrike, mungesa e energjisë elektrike ka bërë që një ndërmarrje rrobaqepësie në Shkodër, investim i cili kap shifrën 2 milionë euro, me 100 punëtorë, sot të deklarojë mbylljen pasi nuk mund të përballojë koston e gjeneratorit ku duhet 300 mijë lekë në ditë karburant për të furnizuar ndërmarrjen me energji elektrike.
Sipas gazetës ‘Shqip’, kësaj ndërmarrje i mungon edhe uji i pijshëm dhe pse e paguan ndërsa infrastruktura e zonës lë shumë për të dëshiruar. Bëhet fjalë për ndërmarrjen e rrobaqepësisë “Antonela” në zonën industriale të qytetit, e cila prej dy javësh pas një defekti në linjën furnizuese të zonës ka ngelur pa energji elektrike. Ndërkohë që familjarëve në zonë u është rikthyer energjia elektrike, kësaj ndërmarrjeje dhe disa punishteve të tjera nuk i është rikthyer energjia elektrike. Zona ku ndodhet kjo rrobaqepësi njihet si zona industriale e qytetit ku janë të instaluara dhe shumë biznese të tjera.
Pronari i ndërmarrjes, nëpërmjet gazetës “Shqip”, ka bërë publike mbylljen e fabrikës dhe se nesër, punëtorët nuk do dalin në punë pasi sipas tij, mungesa e energjisë elektrike vetëm javët e fundit ka sjellë 20 mijë euro humbje. Për këtë ai shprehet se do hedhë në gjyq CEZ-in për dëmin që i është shkaktuar. Duke folur për “Shqip”, pronari i fabrikës, Gjovalin Shtjefni thotë: “Kam 7 vite që ushtroj aktivitetin tim, duke prodhuar në mënyrë tepër serioze për tregje perëndimore dhe sipas të gjitha rregullave dhe ligjeve. Problemi ynë nisi rreth dy javë më parë, kur linja që furnizon zonën pati një avari. Kërkuam ndihmën e institucioneve përgjegjëse, ato rregulluan vetëm linjën për abonentët familjarë ndërsa për ndërmarrjen time dhe rreth 5 fabrika të tjera këtu rrotull nuk e riparuan defektin. Kemi trokitur në çdo derë dhe asnjë përgjigje pozitive. Në këto kushte, unë kisha porosi për prodhim, dhe isha i detyruar të vija në punë një gjenerator të madh, i cili konsumon 300 mijë lekë të vjetra karburant në ditë. Kuptohet se kjo nuk ka asnjë leverdi të konsumosh 300 mijë lekë në ditë por duke menduar se mund ta riparojnë defektin, vura në punë gjeneratorin. Kanë kaluar dy javë që unë punoj me gjenerator dhe kam arritur një humbje deri në 20 mijë euro. Për të vazhduar më tej në fabrikën time, mungon uji i pijshëm, megjithëse paguhet dhe punëtorët vijnë me ujë me vete, për të hyrë në fabrikë duhet të vishesh me çizme, pasi rruga që i kisha ndërtuar vetë, erdhën dhe ma prishën për të hapur kanale për të shtrirë një kabull. Në këto kushte, pa drita, pa ujë, pa rrugë, kur askush nuk kthen një përgjigje pozitive për të riparuar situatën, kam arritur në përfundimin që sot duhet ta mbyll fabrikën.”
Rrobaqepësia kishte deri dje në punë rreth 100 punëtorë.
Top Channel