Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e cilësoi procesin e hartimit të programit të ri të PS si gurin e themelit ku të gjithë shqiptarët duhet të gjejnë të pasqyruar realitetet e tyre.

Një program që sipas liderit të opozitës duhet të përfshijë të gjithë elementet, duke patur njëkohësisht, sic tha ai, edhe një zgjidhje konkrete për gjithcka që do të përfshihet në këtë dokument, përmes të cilit socialistët synojnë të realizojnë atë që e quajnë një rilindje shqiptare.

Në takimin me 21 krerët e grupeve të punës dhe pjesëtarët e tyre, zoti Rama e vuri theksin pikërisht tek zgjerimi i këtij procesi, pjesë e të cilit duhet të jenë të gjithë shqiptarët.

“Atyre që do t’u drejtohet grupi ynë do të jenë periferitë dhe në ato periferi duhet të ulemi me njerëzit dhe të dëgjojmë historitë e tyre, për të ngjallur besimin tek ato familje të zhytura në varfëri, se jeta e tyre mund të bëhet më e mirë. Dhe ne do ta bëjmë më të mirë”, deklaroi Rama.

Duke renditur disa nga elementet kryesore që do të përfshihen në këtë program mes të cilëve edhe ish-pronarët, ish-të përndjekurit, reformën në politikat fiskale me heqjen e taksës së sheshtë, reformën në Policinë e Shtetit, autonominë vendore, sportin, etj, kryesocialisti Rama tha se ka ardhur momenti për një politikë të re ku qytetarët të gjejnë vërtet veten e tyre.

“Vetëm së bashku, me njëri-tjetrin, por edhe me shqiptarët, do mund të gjejmë zgjidhje të reja për probleme të vjetra që kanë mbetur pa zgjidhur. Vetëm në rast se zgjidhjet që ne do t’u propozojmë njerëzve, shumica e të cilëve do t’i ndjejë, ne do kemi mundësi të themi se mund ta udhëheqim Shqipërinë në rrugën e duhur”, u shpreh Rama.

Lideri i opozitës bëri një thirrje ndaj shqiptarëve duke u kërkuar të bëhen pjesë e këtij programi me sugjerimet dhe propozimet e tyre konkrete, duke e hapur Partinë Socialiste përtej mureve partiake, duke hyrë në shtëpitë e njerëzve të thjeshtë, të cilët, sic tha Rama, përballen cdo ditë me Shqipërinë reale.

Top Channel