Kapiteni i kombëtares angleze të futbollit, John Terry, do të përballet me një procedim penal për sjellje raciste.
Vendimi u lajmërua nga autoritetet përkatëse gjatë të mërkurës. Ai do të hetohet në lidhje me fjalorin diskriminues që përdori ndaj futbollistit Anton Ferdinand, në ndeshjen QPR-Chelsea 1-0, të zhvilluar në 23 tetor.
Mbrojtësi 31-vjeçar u shpreh se do të luftojë me deri në fund për të provuar pafajësinë e tij. Policia mori në pyetje Terry në nëntor dhe dërgoi dosjen në prokurori në dhjetor.
Alison Saunders, kryeprokuror për metropolin e Londrës, u shpreh: “I kam rekomanduar zyrtarisht gjykatës që të hapë një çështje penale ndaj John Terry për ofendim të rënduar racist në publik, në lidhje me frazat e thëna prej tij në fushë në përballjen me skuadrën e QPR-së”.
Avokati mbrojtës i Terry u shpreh i zhgënjyer për vendimin e prokurorisë. “Që kur u bë publike çështja, ajo është paragjykuar dhe ka patur një bindje se do të përfundonte në këtë mënyrë. Terry është i gatshëm të mbrojë pafajsinë e tij në gjykatë, ndërsa karriera e tij nuk ndikohet nga kjo ngjarje”.
Mbetet e paqartë nëse Federata Angleze e Futbollit do të vendosë pezullimin e qendërmbrojtësit nga kombëtarja. Megjithatë, në një rast të mëparshëm, kur Steven Gerrard u akuzua për racizëm në vitin 2008, ai vazhdoi të luante për vendin e tij.
Seanca për Terry do të caktohet përpara datës 1 shkurt 2012. Ndëshkimi maksimal që parashikon ligji për këtë akuzë është një gjobë prej 2 500 paund. Gjatë këtij sezoni futbollistik, Federata Angleze pezulloi me tetë ndeshje sulmuesin e Liverpulit, Luis Suarez, pasi ai përdori komente raciste ndaj mbrojtësit të Manchester United, Patrice Evra.
Top Channel