Treni do të ndalojë në Kamëz

20/12/2011 17:25

Stacioni i trenit në Tiranë do të zhvendoset në afërsi të kthesës së Kamzës, pasi edhe vetë periferia e qytetit ku stacioni i përkiste dikur, tashmë është zhvendosur në këtë drejtim. Në stacionin aktual të trenit është projektuar të ndërtohet pallati i ri i drejtësisë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në një takim me studentë të arkitekturës hodhi idenë e ristrukturimit të atij që sot është një shërbim joefiçent. ”Kush mund të më thotë mua se sa herë e keni marrë trenin gjatë këtij viti?”, iu drejtua Basha sallës.  “Personalisht, kur kam qenë Ministër i Transporteve, kam qenë i bindur në domosdoshëmrinë e dhënies me koncension të pjesës së mallrave të hekurudhës, duke mbyllur ose ridimensionuar pjesën e pasagjerëve të paktën në dekadën e ardhshme. Mund të ketë një të ardhme segmenti Tiranë-Durrës, Tiranë-Rinas, por për momentin, hekurudha është viktimë e mjeteve alternative të transportit. Zhvendosja e hekurudhës jashtë vijës së verdhë të kryeqytetit, është zgjidhja më e mirë. Kjo duhet bërë dhe përsa më takon mua, do të shoqërohet me implementimin e lighter, pra hekurudhës së lehtë e tramvajit në rrugët e qytetit”.

Për t’i paraprirë mundësisë së kundërshtimit të prishjes së objektave të komuznimit në përgjithësi, Basha argumentoi vendimin e tij me mungesën e efiçencës ekonomike të hekurudhës së Tiranës. “Prandaj flas për një terminal multimodal në zonën që përmenda, atje ku kemi një hapësirë rreth 80 mijë metra katrorë në formë trapezoide, në zonën që njihet si Pallatet e Malajzianit. Atje do të shërbehet treni, që në këtë koncept do të ketë atje stacionin e fundit, për të shkarkuar më pas pasagjerët tek trami, që do të jetë pika hyrëse në Tiranë. Autobuzët interurbanë të veriut, jugut dhe perëndimit, do të përqendrohen gjithashtu në këtë pikë, së bashku me autobuzët e qytetit, që do të shërbejnë qytetarët e kryeqytetit”, shpjegoi Basha.

Teksa ka paraqitur disa projekte dhe plane të rregullimit të qytetit përpara studentëve dhe pedagogëve të tyre, Basha firmosi edhe një marrëveshje me kryetarët e njësive vendore, që plani i ri rregullues të mos përfshijë vetëm Tiranën, por edhe disa njësi vendore përreth kryeqytetit.

Top Channel