Milan-City, vështirësohet marrëveshja për Tevez

20/12/2011 14:20

Është anuluar takimi i së enjtes mes administratorit të deleguar të Milanit, Adriano Galliani, dhe Manchester City duke lënë të kuptohet se një marrëveshje për transferimin e Carlos Tevez në San Siro është shumë e vështirë.

Frenimi i tratativave ka ardhur nga trajneri i klubit anglez, Roberto Mancini: “Nuk do huazojmë Tevez-in, por jemi të gatshëm të diskutojmë për blerjen definitive të lojtarit nga ana e Milanit.”

“Shpresojmë që të gjendet një zgjidhje e mirë për ne dhe për Tevez. Duam që ai të luajë dhe duam që ta shesim, jo ta huazojmë. Manchëester City i blen shtrenjtë lojtarët dhe nuk ka përse të huazojë falas kur vjen puna për të shitur. Nuk është e drejtë dhe nuk është korrekte”, tha Mancini.

“Ai klub që kërkon shërbimet e Tevez duhet të paguajë paratë ashtu siç ka bërë City kur e bleu para tre vitesh”, shtoi tekniku italian.

Duke parë se Milani nuk është i disponueshëm të paguajë më shumë se 20 milionë euro për Tevez (ose për këdo tjetër) duket se argjentinasi do të mbetet vetëm një ëndërr për tifozët kuqezinj.

Top Channel