Fullani: Mos u nxitoni të këmbeni eurot

20/12/2011 08:35

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani foli dje për herë të parë në lidhje me panikun e krijuar në fillim të këtij muaji në tregun valutor, duke i sugjeruar qytetarëve të konsultohen me ekspertët para se të marrin vendime afatgjata mbi monedhën në të cilën dëshirojnë të mbajnë kursimet e tyre.

Fullani lavdëroi mediat për informimin e qytetarëve gjatë ditëve të panikut. “Informimi në kohë dhe me korrektësi nga media e bëri të panevojshme ndërhyrjen e autoriteteve për të qetësuar situatën”, tha Fullani.

Komentet e tij u mbajtën gjatë një takimi me rastin e fundit të vitit, ku u shpërndanë gjithashtu çmimet e guvernatorit për tre të diplomuar të ekonomisë.

Leku pësoi një forcim të shpejtë kundrejt euros dhe dollarit mes 30 nëntorit dhe 5 dhjetorit, pasi një pjesë e shqiptarëve, të alarmuar nga lajmet mbi rrezikun e shpërbërjes së eurozonës, nxituan të shesin eurot e veta në këmbim të lekëve.

Gazeta “Shqip” raporton se euro ra brenda pak ditësh nga 140 në 136 lekë dhe u kthye në fund të panikut në 139 lekë. Gjatë ditëve të fundit, euro ka pësuar rënie dhe aktualisht këmbehet në kuotën 138.2 lekë sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë, por rënia e këtyre ditëve i dedikohet mekanizmave të tregut dhe jo panikut.

Fullani i sugjeroi qytetarëve që kanë dilema se çfarë të bëjnë me kursimet e tyre në euro, të konsultohen më parë me bankën e vet apo me ekspertët në mënyrë që të marrin vendimin e drejtë për ta.

“Flisni me bankën tuaj para se të vendosni, flisni me ekspertët”, tha Fullani dje. Guvernatori qëndroi asnjanës dhe nuk dha ndonjë rekomandim specifik.

Gjysma e depozitave që shqiptarët kanë vendosur nëpër banka janë aktualisht në euro. Pjesa e depozitave në monedhë të huaj në sistem është shtuar veçanërisht gjatë viteve 2010 dhe 2011, kohë kur leku humbi rreth 12 për qind të vlerës së vet kundrejt euros, gjë që besohet se i shtyu shumë shqiptarë të kufizonin depozitat në monedhën kombëtare.

Shumica dërrmuese e depozitave të familjeve shqiptare përbëhen nga paratë e fituara në emigracion dhe mbërrijnë në Shqipëri në euro.

Gjatë viteve 2002-2008, një pjesë e remitancave u këmbyen në lekë dhe u depozituan në lekë me qëllimin për të përfituar interesat më të larta të ofruara për depozitat në monedhën kombëtare apo për t’u investuar në bono thesari të qeverisë.

Shqiptarët janë përballur gjatë viteve 2000-2004 me rënien e dollarit në tregun ndërkombëtar si dhe me fuqizimin e euros, qoftë për nga vlera kundrejt monedhave të tjera të huaja, qoftë për nga dominimi i tregut shqiptar si monedhë për kursime apo për reklamimin e çmimeve të mallrave të rëndësishme.

Në atë kohë, një pjesë e shqiptarëve i mbajtën kursimet në dollarë, gjë që u solli humbje, ndërsa një pjesë tjetër përfituan nga kreditë afatgjata të marra në monedhën amerikane, të cilat u bënë më të lehta për t’u shlyer.

Por tani llogaria është më e komplikuar se kaq. Euro besohet se do të dobësohet kundrejt monedhave të tjera ndërkombëtare si frangu zviceran, dollari apo paundi britanik gjatë muajve të ardhshëm, por parashikimet e kursit të këmbimit mbartin norma të larta pasaktësie.

Nga ana tjetër, megjithëse euro mund të jetë në dobësim kundrejt dollarit, interesat e ofruara për depozitat me afat në euro në Shqipëri sot për sot janë dy herë më të larta se sa interesat e ofruara për dollarin apo paundin britanik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA