“Bastet e paligjshme, me bazë edhe në Shqipëri”

20/12/2011 14:20

Në Itali vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e skandalit më të fundit të basteve të paligjshme në futboll, ku 17 persona përfunduan në pranga, mes të cilëve edhe ish-lojtarë të njohur të botës së futbollit, madje që kanë luajtur edhe për kombëtaren axurre, sic është Cristiano Doni.

Skandali, i cilësuar si më i rëndi në futbollin italian, që pas shembjes së Calciopoli-t, po trondit strukturat drejtuese të të gjitha kategorive profesioniste në Itali dhe gjatë hetimeve përmendet edhe Shqipëria, si vend bazë e një filiali të organizatës së fuqishme aziatike të trukimit të ndeshjeve.

Dyshohet se bosi i rrjetit të paligjshëm të basteve sportive është një aziatik i quajtur Ten Set Eng. Ai ka shtrirë rrjetin e tij të basteve të paligjshme në të gjithë Europën Lindore, me filiale të organizatës në Sllovaki madje edhe në Shqipëri.

Emri i Ten Sen Eng, lindur në Singapor, ka dalë për herë të parë në publik si kreu i organizatës së paligjshme të basteve në Finlandë, kur autoritetet vendase arrestuan e më pas dënuan me dy vjet burg një shtetas nga Singapori. Mësohet se në dëshminë e tij, shtetasi nga Singapori ka treguar detaje në lidhje me organizatën e udhëhequr nga Ten Sen Eng, shtrirjen e saj dhe mënyrën e vendosjes së basteve.

Ai thotë në dëshminë e tij, se organizata dërgonte përfaqësuesit e saj pranë futbollistëve dhe presidentëve të klubeve të cilëve u kërkonin fiksimin e ndeshjeve në këmbim të shumave të mëdha të parave. Shtrirja e organizatës, thuhet më tej në dëshmi, ishte në Azi, Europë dhe në Amerikën Latine, me dy kryeqendra, Argjentinë dhe Bolivi. Ndërsa për Europën, sipas dëshmisë, dy ishin bazat, njëra në Sllovaki dhe tjetra në Shqipëri.

Nuk publikohen më shumë detaje të dëshmisë apo përcaktime më të hollësishme në lidhje me filialin shqiptar të organizatës së Ten Sen Eng, apo nëse ky filial drejtohej nga një shtetas shqiptar apo një tjetër i huaj i përcaktuar nga “bosi aziatik i basteve”.

Lidhur me skandalin ka reaguar edhe federata italiane e futbollit. Presidenti i saj, Abete, tha për mediat se bëhet fjalë për një fenomen mbarëbotëror, që nuk ka prekur vetëm futbollin italian. Lufta ndaj këtij fenomeni, tha ai, mbetet prioritet i federatës italiane të futbollit dhe atyre ndërkombëtare, përfshirë këtu UEFA-n e FIFA-n.

Prokurori që po merret me cështjen në fjalë, Palazzi dhe grupi hetimor,
pas prangosjes së 17 personave, po mundohen të gjejnë nëse në skandal ka
përsona të tjerë të përfshirë.

Top Channel