Nejmar: Barca, skuadra më e mirë në botë

19/12/2011 17:15

Leksionet që ka dhënë futbolli europian në finalen e botërorit të klubeve kanë bërë edhe talente të tillë si Nejmar, që të pranojë dukshëm superioritetin e Barcelonës.

Sulmuesi i Santosit, ka pranuar se aktualisht Barcelona është skuadra më e mirë në botë dhe e ka fituar me meritë, trofeun e saj të radhës.

Përkundër të gjithë parashikimeve, sulmuesi brazilian në finale nuk arriti t’i tregojë vlerat e tij dhe nuk e rrezikoi asnjëherë kuadratin e Barcelonës,  në sfidën e mbyllur 4-0.

“Barcelona e meritoi fitoren. Nuk e di nëse është e pamundur të mposhtet Barça, por e di se kjo është skuadra më e mirë në botë. Në këtë ndeshje Barcelona na tregoi të gjithëve se si luhet futbolli. Tani nuk është aspak e rëndësishme se si kemi luajtur ne dhe çfarë mund të bënim. Me rëndësi është se kemi kaluar shumë pengesa për të ardhur deri këtu. Të jesh skuadra e dytë në botë nuk është pak”, ka theksuar Nejmar, i cili u shpërblye me “Topin e bronztë” të këtij turneu si lojtari i tretë më i mirë.

“Guardiola ka thënë se Barcelona ka humbur shumë herë derisa është bërë kjo që është sot në fushë. Këtë dëshiron edhe Santosi. Ne humbëm finalen, por ndoshta vitin e ardhshëm kthehemi më të fortë dhe e fitojmë trofeun”, ka shtuar Nejmar.

Top Channel