Seria A, Milan mendon për kreun

16/12/2011 15:20

Tekniku i Milanit, Massimiliano Allegri, ka shumë besim se ekipi i tij do të arrijë të kalojë turin e Ligës së Kampioneve ndaj Arsenalit, por për momentin po mendon për kampionatin, ku kuqezinjtë do të ndeshen me Sienën të shtunën në orën 20.45.

“Objektivi ynë është të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundur në kampionat për të qëndruar pranë kreut të renditjes. Kemi lënë pikë në Firence dhe Bolonja, por mendoj se na ka penalizuar nisja e dobët që bëmë në Serinë A”, theksoi Allegri në konferencën për shtyp.

Për Arsenalin do të filloj të mendoj në muajin shkurt. Tani duam të fitojmë dy ndeshjet e ardhshme sepse do të jenë shumë të rëndësishme për renditjen”, shtoi trajneri livornez.

Sipas tij, në Serinë A dhe në Champions ndryshimin duhet ta bëjë Zlatan Ibrahimovic: “E shoh më të qetë, është më mirë fizikisht. Këtë vit djemtë njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe Ibra nuk lodhet si vitin e kaluar kur mori përsipër përgjegjësitë dhe na dha fitore të rëndësishme duke bërë sforco të mëdha fizike.”

Top Channel