NBA, Paul bashkohet me Clippers

16/12/2011 00:00

Chris Paul është zyrtarisht basketbollist i Los Angeles Clippers. Organizatori i New Orleans Hornets ishte lojtari më i kërkuar në merkaton e NBA dhe për shumë kohë u përfol për një transferim te Lakers, por në fund ajo që fitoi ishte pikërisht skuadra e Clippers.

‘Jam shumë i emocionuar që jam pjesë e Los Angeles Clipers. Do të luaj përkrah basketbollistëve të tillë si Griffin, DeAndrè Jordan dhe Billaps, gjë që më pëlqen shumë. Mendoj se do të kaloj një eksperiencë fantastike te kjo skuadër”, deklaroi  Chris Paul në momentin e prezantimit.

Ai tha gjithashtu se do të nënshkruajë me Clippers një kontratë afatgjatë pasi beson shumë te projekti i drejtuesve të këtij klubi.

‘Kam shumë besim te basketbollistët dhe drejtuesit e Clippers. Dua të fitoj dhe dëshiroj që t’ia arrij qëllimit menjëherë. Jam shumë entuziast dhe mezi po pres fillimin e sezonit”, u shpreh Paul.

Më pas Chris foli edhe për rivalitetin mes Los Angeles Lakers dhe Clippers duke shtuar se do të japë gjithcka për të drejtuar ekipin e tij drejt fitores së parë të titullit kampion të NBA.

Top Channel