Berlusconi rikonfirmon Allegri-n

16/12/2011 00:00

Masimiliano Allegri do të qëndrojë në pankinën e Milanit. Është vetë presidenti i kuqezinjve, Silvio Berlusconi që deklaron se shumë shpejt do të vijë firma e trajnerit italian në kontratën e re duke hedhur poshtë zërat që flisnin për një ardhje të mundshme të Marko Van Basten.

‘Rinovimi i kontratës me Masimiliano Allegri nuk diskutohet. Vendimin e kemi marrë prej kohësh dhe mua më pëlqen si trajner. Sigurisht Van Basten e kam për zemër, por si futbollist sepse nuk e kam parë në rolin e teknikut”, tha Berlusconi.

Kontrata e Allegri-t me Milanin skadon në 30 qershor të vitit 2012 dhe sipas asaj që publikohet në median italiane ajo pritet të zgjatet edhe për 2 vjet të tjerë që shoqërohet edhe më një rritje page. Aktualisht Allegri merr një pagë prej 1.5 milionë euro në sezon, ndërkohë që me kontratën e re ajo pritet të rritet në 2 milionë Euro

‘Më vjen vërtet mirë kur dëgjoj fjalët e presidentit. Është dhurata më e bukur e Krishtlindjeve. Do të firmos kontratën e re në momentin kur Galiani të më thërrasë në zyrën e tij”, tha Allegri.

Ndërkaq Milan ka filluar përgatitjet për ndeshjet e radhës në kampionatin italian me Sienën dhe Kaljarin që do të luhen të shtunën dhe të martën.

Top Channel