Vata: Trukimet? Gjendje alarmante, duhen masa

15/12/2011 00:00

Dyshimet për një “mal” trukimesh në ndeshjesh në sezonin e kaluar,
gjithsej 12, dhe një nga sezoni i sivjetshëm, Kastrioti-Vllaznia (2-1), e
luajtur më 2 tetorin e kaluar.

Kjo çështje shqetëson edhe trajnerin e shkodranëve, Rudi Vata, i cili nuk mban përgjegjësi për atë kohë dhe e ka gojën e lirë të flasë për fenomenin.

“Më shqetëson shumë. Flitet për futbollin shqiptar. Të gjithë këta tifozë që vijnë duan të shikojnë një futboll të pastër dhe të drejtë. Më shqetëson dhe është shumë alarmante. Shpresoj dhe uroj që njerëzit që kanë në dorë fatet e futbollit shqiptar të merren me këtë punë më seriozisht, ta luftojnë sepse është e mundur për ta eliminuar. Pra uroj që shteti dhe Federata Shqiptare e Futbollit ta eliminojë këtë fenomen aq të dëmshëm për sportin dhe për futbollin në veçanti”.

Tekniku nuk dëshiron të flasë konkretisht për përfshirjen e Vllaznisë, por thjesht dënon fenomenin dhe kërkon marrje urgjente të masave për ta zhdukur atë. “Unë jam i sigurt që në futbollin shqiptar këto fenomene kanë ndodhur. Nuk është se po flitet tani. Ka pasur vite me radhë që është diskutuar dhe folur për trukimet. Tani kam përshtypjen që ‘pilafi nuk mban më ujë’ siç thotë populli. Them që është pjesa më negative e futbollit. Futbollit duhet të jetë i pastër dhe ashtu siç është i bukur dhe të përfundojë ashtu siç duhet të përfundojë, duke luftuar, duke punuar dhe duke derdhur djersë. Jo duke trukuar e duke gënjyer veten me imagjinata të tilla”, përfundoi Rudi Vata.

Top Channel