Europa Ligë, eleminohet Totenham

15/12/2011 23:10

Totenhemi është eliminuar nga Europa Ligë edhe pse ka fituar 4-0 ndaj Shamrokut. Kjo fitore nuk i ndihmoi  britanikët, pasi ndeshja tjetër e grupit A mes PAOK-ut dhe Rubin Kazan përfundoi barazim 1-1.

Me këtë pikë skuadra ruse e Rubinit arriti të mbajë vendin e dytë, me një pikë më shumë se Totenhemi, duke u kualifikuar për më tej bashkë me grekët që e kishin siguruar kreun e këtij grupi.

Fitorja e Hanoverit 3-1 ndaj Vorslkës dhe e Standart Liezhit 1-0 ndaj Kopenhagenit, i kualifikon këto dy skuadra për më tej. Në formacionin e gjermanëve u aktivizua edhe kapiteni i përfaqësueses sonë Altin Lala, duke kontribuar në fitoren që i dha vendin e dytë Hanoverit, ndërkohë Liezhi e mbylli këtë fazë si kreu i grupit B.

U kualifikuan për në 1/16 edhe italianët e Udinezes pavarësisht barazimit 1-1 ndaj Sëlltikut. Ata mbajnë vendin e dytë me 9 pikë, ndërkohë që Atletiko Madridid fitoi 3-1 ndaj Rënesë duke mbajtur kreun e grupit pasi ka grumbulluar 13 pikë në këtë fazë.

Në grupin H barazimi i Klub Bruzhit me Bragën 1-1 i jep mundësinë të dyja këtyre skuadrave të mbajnë pozicionet e para e të kualifikohen për më tej e të lënë jashtë Birmingamin, pavarësisht fitores në ndeshjen e fundit 1-0 ndaj Mariborit.

Ditën e premte në orën 12:00 do të hidhet shorti për fazën tjetër të Champions Ligës dhe Europa Ligës, në Nion të Zvicrës.

Top Channel