Faza e cerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë tashmë duket se e ka marrë formën e saj edhe pse nuk kanë përfunduar ende ndeshjet në grupe.
Në Grupin A, Tirana dhe Laçi janë të kualifikuarat mes 8 ekipeve më të mira të këtij aktiviteti. Skuadra bardheblu shënoi fitoren e pestë duke mundur në sfidën e radhës Shkumbinin në fushën e këtij të fundit me rezultatin 3-2 dhe është e vetmja skuadër me pikë të plota. Në ndeshjen tjetër, Laçi barazoi me Apoloninë 0-0, por kjo pikë i mjaftoi kësaj skuadre për të siguruar vendin e dytë.
Grupi B është i vetmi që ka ende dyshime për përcaktimin e skuadrave të kualifikuara. Në të vërtetë, të gjitha pikëpyetjet janë për vendin e dytë që do të diskutohet mes Teutës dhe Kamzës, megjithëse Pogradeci akoma nuk mund të përjashtohet.
Flamurtari u kualifikua si skuadra kryesuese edhe pse në javën e pestë barazoi me Kamzën 0-0, ndërsa Teuta shënoi fitoren e parë duke mundur Pogradecin 2-0.
Në Grupin C, të kualifikuarat për në cerekfinale të Kupës së Shqipërisë janë Skënderbeu dhe Kastrioti. Skuadra korcare mundi në ndeshjen e radhës Besën me rezultatin 3-0 duke u ngjitur edhe në krye të grupit me 12 pikë.Ndërsa Kastrioti barazoi me Luftëtarin në Gjirokastër 3-3 dhe mban vendin e dytë me 10 pikë.
Top Channel