F1, Alonso: Titulli kampion në vitin 2012

14/12/2011 12:50

“Vitin e ardhshëm objektivi është të fitoj titullin kampion bote. Për Ferrarin dhe për një pilot të kësaj skuderie nuk mund të ketë objektiv tjetër përveç këtij.”

Kështu është shprehur Fernando Alonso, dy here kampion bote me Renault, në një intervistë për ‘The New York Times’, duke shtuar se sezonin që kaloi Red Bull dhe Sebastian Vettel ishin të pathyeshëm.

“Problemi është se një makinë si Red Bull së bashku me një pilot të mrekullueshëm si Vettel bënë që të ishte e pamundur të luftoje për kampionat. Duhet që tek Ferrari të përshtatemi me situatën aktuale në Formula 1 ku nuk ka teste dhe gomat janë të njëjta për të gjithë”, shtoi Alonso.

Përsa i përket të ardhmes së tij, piloti spanjoll sheh vetëm ngjyrën e kuqe: “Kur të mbaroj kontratën time do të shoh nëse ja vlen të vazhdoj apo jo, por gjithmonë tek Ferrari.”

Top Channel