Trukimet, prokuroria vihet në lëvizje

13/12/2011 00:00

Prokuroria e Tiranës pritet të nisë një hetim mbi raportin e UEFA-s që theksonte se 13 ndeshje të Superligës mes të cilave edhe një e këtij viti, janë të trukuara.

Burime pranë organit të akuzës pohuan për Top Channel se një grup hetimi, pjese e njësisë Task Force, do t’i kërkojë Federates së Futbollit raportin e ardhur nga UEFA për të filluar më pas hetimet për këto dyshime.

Ndërkohë në emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Eduart Prodani ka pohuar se ky intitucion ka bërë hetimet e veta, pasi ka marrë në dorë raportin e UEFA-s.

“Me të ardhur raporti, se është detyrë e jona, në bëmë hetimet tona. Ne na ka rezultuar shpesh, të themi pritshmëritë e tyre, për rezultate të caktuara nuk kanë dalë ashtu sic i prisnin ata. Pra në atë raport nuk bëhet fjalë për prova, nuk bëhet fjalë për fajtorë”, tha Prodani.

Pas formalizimit të gjendjes se klubeve shqiptare, Prodani ka zbuluar edhe një tjetër rregull të FSHF-së që do të aplikohet ditët e ardhshme dhe që, sipas Federatës, pritet të ulë ndjeshëm fenomenin e trukimit të ndeshjeve.

“Kemi filluar me formalizimin, me formën juridike të kërkuar të klubeve, hapi i dytë i së cilës është transparenca financiare. Kjo vendos shumë pika mbi ‘I’ sepse për cdo para që hedh në klub do t’ia raportosh Federatës, ndryshe nuk merr pjesë, jo në Europë, po as në kampionatet lokale”, vijoi Prodani.

Top Channel kontaktoi me klubet e përfshira në raportin e UEFA-s, por pjesa më e madhe e tyre kanë preferuar të heshtin. Vetëm presidenti i klubit të Elbasanit mohoi të jenë trukuar ndeshje nga klubi elbasans. Por ai deklaroi se klubi do të jetë i hapur ndaj hetimeve nëse do të jetë e nevojshme.

Top Channel