Karim Benzema, sulmuesi i Real Madrid, është përzgjedhur si futbollisti më i mirë francez i vitit 2011 nga revista ‘France Football’ dhe ka theksuar se trajneri Jose Mourinho është ai që e ka ndihmuar për tu bërë një lojtar edhe më i fortë.
“Kisha grintë brenda meje, por isha shumë i qetë në fushë. Mourinho bëri që grintën ta reflektoja në lojën time. Ai më provokonte dhe tani sa herë që luaj jap 100% nga vetja”, u shpreh Benzema që la pas mbrojtësin e Barcelonës Eric Abidal dhe portierin e Lyonit Hugo Lloris në votimin për futbollistin më të mirë transalpin.
Benzema, i cili sezonin e kaluar shënoi 26 gola ndërsa këtë sezon ka shënuar 16, foli edhe për objektivat e tij: “Dua të fitoj tituj me Real Madrid dhe mundohem që çdo vit t’i afrohem sa më shumë Topit të Artë. Duke luajtur mirë për një skuadër të madhe mendoj se një ditë do të fitoj këtë trofe të rëndësishëm.”
Sulmuesi foli edhe për kombëtaren franceze, e cila bëri një fazë eliminatore shumë të mirë duke u kualifikuar për në Euro 2012.
“Nuk mund të quhemi në ekip i ri edhe pse kemi një moshë mesatare të ulët. Duhet të luajmë për fitore në Ukrainë dhe Poloni dhe të mos mendojmë për botërorin e vitit 2014”, deklaroi 23-vjeçari.
Top Channel