Buxheti, nëntori mbyllet keq

13/12/2011 08:05

Buxheti i shtetit shënoi një muaj tjetër negativ në nëntor të këtij viti, duke sjellë nevojën për rishikimin e radhës nga qeveria.

Të dhënat paraprake të publikuara dje nga Ministria e Financave tregojnë se qeveria arkëtoi 295.5 miliardë lekë për periudhën janar-nëntor të këtij viti, me një rritje të papërfillshme prej vetëm 0.7 përqindësh në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Norma e rritjes së të ardhurave tregon se aktiviteti ekonomik është në tkurrje të përgjithshme në Shqipëri dhe se kjo tkurrje në muajin nëntor është përkeqësuar.

Në tetor, të ardhurat e qeverisë patën shënuar rritje në masën 1.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Ndërkohë, shpenzimet deri në fund të nëntorit arritën në 333.6 miliardë lekë, me rritje 5.7 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Deficiti buxhetor prej 38 miliardë lekësh është 65 për qind më i lartë se një vit më parë, por realizimi i planit vjetor për deficit jo më të lartë se 47 miliardë lekë, ka shpresa se do të respektohet.  

TAP keq, TVSH në rritje

Statistikat e buxhetit të shtetit, veçanërisht treguesit e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale, shërbejnë gjithashtu për të parë ecurinë e shitjeve dhe fitimeve të taksuara në ekonomi.

Gjatë muajve tetor dhe nëntor vërehet rritje e pazakontë e të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar me përkatësisht 14 dhe 16 për qind në terma vjetorë, por kjo konsiderohet si një situatë e përkohshme e shkaktuar nga investimet e fundit të kryera në tregun e shitjeve me pakicë, të cilat i kanë paraprirë një vale importesh. Për të gjithë periudhën janar-nëntor, të ardhurat nga TVSH kanë pësuar rritje prej vetëm 3.1 përqindësh.

Ndërkohë, pasi pati shënuar një ecuri pozitive gjatë gjysmës së parë të vitit, tatimi mbi të ardhurat personale, e cila teorikisht përbën 10 për qind të të ardhurave të popullatës nga pagat, kanë disa muaj që shënojnë ecuri negative. Rritja vjetore e të ardhurave të taksueshme të popullatës shqiptare është vetëm 1.3 për qind për periudhën janar-nëntor.  

Akcizat

Qeveria shënoi muajt e parë pozitivë për sa i përket të ardhurave nga akciza këtë vit, pavarësisht se në janar u rrit akciza e cigareve dhe çmimet e naftës në tregun ndërkombëtar kanë qenë relativisht të larta.

Të ardhurat nga akciza u rritën me 13 për qind në nëntor, ndërsa për të gjithë periudhën janar-nëntor u rritën me 3.3 për qind. Shkaku i rritjes së të ardhurave nga akciza në dy muajt e fundit vlerësohet se është zvogëlimi i prodhimit të naftës së vendit dhe rritja e importeve.  

Shpenzimet

Nuk ka ndonjë  surprizë të madhe te shpenzimet. Deri në fund të nëntorit buxheti i shtetit shënoi 333.5 miliardë lekë shpenzime, rreth 85 për qind e planit vjetor të rishikuar.

Nëse vijon kjo tendencë, buxheti i shtetit do të ruajë planin e deficitit në masën 47 miliardë lekë. Qeveria duket se ka pasur fat me shpenzimet për interesat e borxhit publik, të cilat këtë vit rezultuan më të ulëta nga sa pritej.  

Rishikimi i radhës

Plani i të ardhurave të qeverisë do të duhet të rishikohet edhe një herë këtë vit, siç ka ndodhur rëndom gjatë viteve të fundit për shkak të parashikimeve tepër optimiste të qeverisë për ecurinë e ekonomisë së vendit.

Qeveria pati planifikuar në fillim të vitit të ardhura prej 362 miliardë lekësh, por e rishikoi planin në 344 miliardë ndërsa pritet të arkëtojë rreth 322 miliardë lekë, rreth 22 miliardë më pak se sa plani i rishikuar në korrik.

Ndërkohë, në bazë të këtyre të dhënave, është e qartë se edhe buxheti i vitit 2012, i cili qe konsideruar si konservator, në fakt ka shumë gjasa t’i nënshtrohet rishikimeve.

Qeveria sakaq ka vendosur të rishikojë buxhetin 2012 për shkak të nevojës për të financuar blerjen e energjisë elektrike të pambuluar me tarifë të Furnizuesit Publik me Shumicë, pavarësisht se buxheti i vitit të ardhshëm u miratua vetëm pak ditë më parë e nuk ka hyrë ende në fuqi.

Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon të ardhura prej 354 miliardë lekësh ose 10 për qind më të larta se faktiku i këtij viti. Por duke qenë se agjencitë ndërkombëtare parashikojnë një rritje ekonomike minimale prej vetëm 1 përqindësh për vitin 2012, rritja e të ardhurave me 10 për qind rezulton mision i pamundur.

Top Channel