Skandal trukimesh në Kroaci

12/12/2011 00:00

Një hetim i pavarur në Kroaci ka zbuluar të tjera fakte për trukimin e aktivitete sportive në vendin ballkanik ndërsa janë vënë në pranga dy zyrtarë futbolli.

Zëvendëspresidenti i Federatës Kroate të Futbollit, ish-arbitri i njohur Zhelko Siric, si dhe shefi i arbitrave Stjepan Djedovic, u lanë në burg për një muaj, pasi rrezikojnë të influencojnë dëshmitarët kyc, që do të jenë kundër tyre në gjyq.

Aksioni u organizua nga Zyra Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci, USKOK, dhe pikërisht kjo do të jetë baza e mbrojtjes së avokatëve.

“Me sa është bërë e ditur në këtë cështje, unë mendoj se është gjithcka një bllof  i madh. Nuk mund të themi akoma se kush e ka organizuar këtë maskaradë, por ajo që di është se nuk mund të finalizohej nga USKOK”, tha avokati mbrojtës, Kresimir Vilajtovic.

Sipas prokurorisë kroate, dy zyrtarët e lartë të federatës kroate të futbollit, kanë marrë 30 mijë euro rryshfet nga një dedektiv i kamufluar, që më pas do të jepte edhe 70 mijë euro të tjera për trukimin e një ndeshje.

Zhelko Siric shihet edhe sot e kësaj dite si arbitri më i mirë kroat në histori dhe arrestimi i fundit ka njollosur imazhin e tij.  

Vitin e kaluar, policia kroate arrestoi rreth 20 futbollistë, e trajnerë, si pjesë e një rrjeti bastesh ilegale. Shumë prej tyre u shpallën fajtorë në pak muaj.

Top Channel