Seria A, Roma-Juve ndajnë nga një pikë

12/12/2011 00:00

Ndeshja që mbylli javën e 14-të në Serinë A, ajo mes Romës dhe Juventusit përfundoi 1-1, duke i dhënë skuadrave nga një pikë.

Sfida e luajtur në stadiumin “Olimpiko” ishte me një ritëm të lartë, gjatë gjithë 90 minutave duke regjistruar përvec dy golave, edhe një penallti të humbur për vendasit.

Roma mori avantazhin që në minutën e 6 me mesfushorin Daniele De Rosi që u tregua i saktë në një goditje këndit, duke tundur rrjetën, falë edhe gabimit të Vidal. I menjëhershëm ishte reagimi i Juventusit që ushtroi presion në zonën e vendasve për të paktën cerek ore, por pa asnjë rezultat.

Në fraksionin e dytë të lojës, mbrojtësi Kielini riktheu barazpeshën me një gol me kokë duke entuziazmuar tifozët bardhezinj.

Por vetëm pak sekonda pas golit të miqve, Roma ndërmori një kundërsulm të rrezikshëm duke fituar edhe një penallti me Erik Lamelën. Nga pika e bardhë dueli mes kapitenit Toti dhe portierit Bufon, u fitua nga ky i fundit ndërsa shifrat nuk ndryshuan deri në fund.  

Me këtë barazim, Juventus merr kryesimin e serisë A bashkë me Udinezen.

Top Channel