Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e ftuar në seancë dëgjimore në
Komisionin Parlamentar të Integrimit ka parashtruar në mënyrë të
detajuar, propozimet për planin e ri të veprimit, në përmbushjen e 12
prioriteve.

“Kemi menduar që rishikimi i Planit të Veprimit për 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, të mund të orientohet në dy mënyra. Grupi i punës koordinues, në nivel qendror ngrihet me në krye koordinatorin, i cili është Ministria e Integrimit, do të ketë përfaqësues të Komisionit Parlamentar të Integrimit, të shoqërisë civile dhe përfaqësues nga delegacioni i BE-së në Tiranë. Roli i Ministrisë së Integrimit është koordinimi dhe mbështetja e procesit në tërësi, ndërsa roli i Komisionit Parlamentar të Integrimit është shqyrtimi i planit të veprimit dhe më pas monitorimi për zbatimin e tij. Do të jetë Komisioni Parlamentar i Integrimit, i cili do të jetë përgjegjës për rishikimin dhe përmirësimin e planit të Veprimit për prioritet nga 1 deri në 5 dhe për prioritet nga 6 deri në 12, procesi do të drejtohet nga Ministria e Integrimit”, tha Bregu.

Kryetari këtij komisioni, Ditmir Bushati duke iu referuar letrës dërguar nga Drejtori Integrimit në Komisionin Europian, Stefano Sanini  theksoi se plani i ri i veprimit duhet të udhëhiqet nga propozimet e kësaj letre që janë katër:

“Rishikim, e dyta dakordësi politike brenda një procesi, pra që pikëpamjet tona janë të reflektuara aty që të mos ndodhë sic ndodhi me Planin e Veprimit të kaluar. E treta aprovim, besoj progres raporti është i qartë si kristali, kur thotë plani ekzistues nuk është i aprovuar në Parlament i mungon manteli politik, i mungon shpirti politik dhe e katërta monitorim që ne na e garanton Kushtetuta, ligji për punën e Kuvendit në procesin e integrimit euriopian”, tha Bushati.

Ministrja Bregu u shpreh se “ndodhet në Komision me dëshirën e mirë për t’i lënë vendimmarrjen për të zgjedhur se sa, si dhe deri kur do të bashkëpunohet mes palëve për të rishikuar “Planin e Veprimit”.

Duke folur në emër të opozitës Gramoz Ruci theksoi gadishmërinë maksimale të opozitës në realizimin e 12 prioriteteve. Ai tha se mazhoranca duhet të mos devijojë nga marrëveshjet e arritura sic tentoi të bëjë me lënien jashtë delegacinit të udhëhequr  të përfaqësuesit nga opozita që do të shkojë në Komisionin e Venecias.

“Duhet ta themi hapur ka shumë arsye, por mbi të gjitha është vullneti politik i paleve. Ne emër të kolegeve të opozitës, theksoj se mbetemi të vendosur lidhur me vullnetin tonë politik për të plotësuar të gjitha rekomandimet që ka bërë Bashkimi Evropian si detyra shtëpie për Shqipërinë”, tha Ruci.

Me propozimin e kryetarit te komisionit u ra dakort qe Ministria te dergoje nje harte veprimi per 12 prioritetet dhe me pas te percaktohet bashkerisht koordinimi, duke ruajtur rolet respektive, ku Ministria  bashkerendon punët me qeverinën, ndërsa Komisioni me Parlamentin. Në fund të mbledhjes Komisioni i Integrimit miratoi parimisht propozimet e sjella nga Ministria e Integrimit, ndërkohë i la detyrë për të hartuar një draft për hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit me Komisionin e integrimit.

Kreu BE-së në Tiranë Ettore Sequi u shpreh i kënaqur nga mbledhja e këtij komisioni duke vlerësuar debatet konstruktive mes anëtarëve të komisionit duke shtuar se vullneti politik që ekziston tani duhet përkthyer në veprime konkrete.

Top Channel