Me po atë qetësi që e  karakterizon, Ministri e Financave, Ridvan Bode, deklaroi  të premten  një lajm aspak të mirë për mijëra pensionistë shqiptarë. 

“Ne bëmë rritjen e pensioneve përgjatë vitit, ndërkohë që në një sërë vendesh të tjera kemi të bëjmë me ulje të shpërblimeve të pensioneve, të alokacioneve të ndryshme, për shkaqet e krizës dhe vështirësitë që ka në secilin prej vendeve. Ato shpërblime që kemi përdorur herë pas here, nuk do të jenë në dispozicion për këtë vit”, tha Bode.

Por, a ka një zgjidhje që këta pensionistë, sikurse edhe në të shkuarën ta marrin një “kartolinë” urimi nga qeveria e vëndit të tyre ku ata edhe kanë kontribuar? Socialistët mendojnë se po. Deputeti Andis Harasani, në rrjetin social “Facebook” propozon këtë zgjidhje.

“Po degjoja Ministrin Bode, i cili theksoi se nuk ka fonde buxheti i shtetit për shpërblim për pensionistet për vit të ri.  Ja t’i japim një ide të gjithë bashkë. Të heqi fondin prej 5 milionë dollarësh për të prishur piramidën dhe me këtë fond të paguajë nga 5,000 leke 100,000 pensionistë”, shkruan deputeti.

Pas postimit të  Harasani, edhe lideri opozitës, Edi Rama, është shprehur në të njëjtën gjatësi vale për këtë çështje, duke postuar këtë koment në rrjetin “Twitter”: “Jam dakord me Andisin: Me 5 milionë dollare u japim 100 mijë pensionistëve 5 mijë lekë për Vitin e Ri dhe nuk shkatërrojmë Piramidën”.

Top Channel