Nicolas Anelka, futbollisti i Chelsea, ka arritur një marrëveshje me klubin kinez Shanghai Shenhua dhe mungon vetëm nënshkrimi i kontratës në mënyrë që sulmuesi të nisë aventurën e tij të re.
Lajmin e ka bërë të ditur Ma Yue, një drejtues i klubit aziatik: “Kemi rënë dakord për detajet e kontratës dhe vetëm presim firmën e lojtarit.”
Këto detaje nuk janë bërë publike nga drejtuesi dhe pritet dita e hënë kur një komunikatë e klubit Shenhua t’i zbardhë ato.
Gjithashtu, Ma Yue theksoi se klubi kinez është i interesuar edhe për sulmuesin tjetër të Chelsea, Didier Drogba: “Nuk kemi ende një konfirmim nga Drogba nëse ka dëshirë apo jo të luajë për ne.”
Nicolas Anelka, ish-sulmues i kombëtares franceze me të cilën ka fituar një kampionat europian dhe një Kupë Konfederatash, ka luajtur gjatë karrierës së tij me PSG, Arsenal, Real Madrid, Liverpool, Manchester City, Fenerbahce, Bolton dhe që nga viti 2007 me Chelsea.
Top Channel