Kombëtarja, të hënën me një trajner italian

10/12/2011 12:45

Të hënën, Kombëtarja e Shqipërisë mund të njohë trajnerin e ri të saj, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë një italian. Lajmi është bërë publik nga pjesëtari i grupit negociator të Federatës Shqiptare të Futbollit, menaxheri i FIFA-s, Sokol Haxhia, i cili është edhe krahu i djathtë i presidentit Armand Duka në këtë eksplorim përtej Adriatikut.

Haxhiaj, në një prononcim për faqen italiane të internetit të specializuar në merkato “Tuttowebmercato.com”, ka nënvizuar se ditën e parë të javës së ardhshme kuqezinjtë do të njohin emrin e timonierit të tyre. Sipas njeriut që shoqëron presidentin në këto tratativa, zgjedhja e Dukës për të marrë një trajner italian, vjen për shkakun se shkolla teknike e Italisë është absolutisht më e mira.

Sipas tij, përzgjedhja e trajnerit do të bëhet zyrtare ditën e hënë, duke konfirmuar se emrat në tratativë janë disa, duke përmendur De Biasin, Pilon, Kamolesen, Beretan dhe Karbonen.

Para së gjithash, pse zgjedhja është përqendruar te trajnerët italianë?

Sepse shkolla teknike italiane është më e mirë në mënyrë absolute. Shqipëria në 8 vitet e fundit ka pasur gjithnjë trajnerë të huaj. Presidenti i Federatës, i cili ka edhe detyrën të zgjedhë se kush do të drejtorja Kombëtaren, ka vendosur të mbështetet te një trajner italian. Edhe pse nuk i mungon respekti i duhur për trajnerët shqiptarë. Të rejat do të mësohen të hënën, kur edhe do të vijë zyrtarizmi i emrit të trajnerit të ri të përfaqësues.

Karbone, De Biasi, Pilon e Kamoleze: a janë të gjithë këta emra të kandidatëve?

Po, këta janë trajnerët, të cilët ia kam prezantuar presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai më pas ka takuar edhe Mario Beretën në Vjenë.

Cili është trajneri në “pole position”?

Mund të them që gjatë gjithë këtyre ditëve kemi nxjerrë përshtypje pozitive për ta. Do të jetë një zgjedhje e vështirë. Për shembull, Karbone, i cili ishte më pak i preferuar, ka lënë vërtet një përshtypje shumë të mirë.

Ju e keni krahasuar ish-trajnerin e Varezes me Antonio Konten…

Gjashtë vite më parë unë e përzgjodha atë, por më pas ai preferoi të shkonte te Bari. Karbone ka qenë i pafat të Vareze. Presidenti dhe drejtori teknik thanë se dëshironin të mbështeteshin te trajnerët e rinj, që më pas të kishim mundësi t’i shkarkonin sa më shpejt. Në fakt, sipas mendimit tim, rezultatet e mira të marra nga skuadra me Maranin janë mbi të gjitha fryt i punës së mirë të realizuar nga Karbone. Beni do të mund të bëjë një karrierë të madhe. Sikurse Konte, ai mbështetet te të rinjtë dhe te futbolli ofensiv”.

Top Channel