Pep Guardiola, trajneri i Barcelonës, e ka të qartë se si do të luajë ndaj Real Madrid mbrëmjen e së shtunës, në Santiago Bernabeu. Katalanasit do të sulmojnë nga minuta e parë e takimit sipas tij.
“Avantazhi që ka Real Madrid në klasifikim (3 pikë dhe një ndeshje më pak se Barcelona) nuk më kushtëzon në përgatitjen e ndeshjes. Dua që ekipi im të sulmojë dhe të gjejë rezultatin pozitiv me lojën që kemi bërë gjithmonë dhe jo sepse duhet të reduktojmë diferencën”, u shpreh Guardiola në konferencën e shtypit para ndeshjes.
Përsa i përket heshtjes së Mourinho-s para kësaj ndeshjeje, Guardiola theksoi se e “rëndësishme është që të flasin protagonistët në fushë”.
“Ekipet e Mourinho-s gjithmonë kanë qenë të forta. Për shembull Interi ishte një ekip madhështor që fitoi Ligën e Kampioneve. Futbolli është i bukur sepse jo të gjithë skuadrat luajnë njësoj dhe këtë gjë i kam thënë lojtarëve gjatë gjithë kësaj jave. Duhet të jemi gati për një ndeshje të vështirë edhe sot”, shtoi tekniku katalanas.
Top Channel