NBA, përfundon zyrtarisht bojkoti

09/12/2011 00:00

Bojkoti i NBA është zyrtarisht i mbyllur dhe sezoni i ri i Ligës Amerikane të Basketbollit do të startojë në 25 dhjetor. Basketbollistët dhe pronarët e skuadrave e firmosën më në fund marrëveshjen e arritur përpara disa ditëve për kontratën kolektive që ka një afat 10-vjecar.

‘Jemi të kënaqur që më në fund u ratifikua kontrata e re kolektive. Kjo do të na ndihmojë që të përmirësojmë akoma më shumë nivelin e kampionatit  dhe një kombinim mes paraqitjes dhe kompesimit”, deklaroi komisioneri i NBA, David Stern.

Starti i sezonit të ri të NBA u vu në dyshim pas problemeve të mëdha në bisedimet mes basketbollistëve dhe pronarëve, të cilët për një kohë të gjatë nuk arrinin të gjenin marrëveshjen përsa i përket kontratës. Këto probleme sollën anulimin e ndeshjeve parasezonale dhe 6 javët e para zyrtare të NBA.

Pika që shkaktoi më shumë debat në këtë cështje ishte ajo e ndarjes së të ardhurave mes lojtarëve dhe pronarëve. Drejtuesit e NBA kërkuan që të dyja palët të përfitonin nga 50% secila, propozim ky që në fund u pranua pas shumë debatesh nga ana e basketbollistëve.

Më pas, palët arritën në një marrëveshje për vendosjen e një niveli të ri taksash për sezonin 2011/12, ndërkohë që niveli maksimal i pagave në sezon do të jetë 58 milionë dollarë. Mësohet gjithashtu se edhe kohëzgjatja e kontratave për basketbollistët do të reduktohet në 5 vjet, ndërkohë që paga për cdo kontratë të re të rritet me 7.5% në vit.

Në të njëjtën kohë, palët arritën një marrëveshje edhe për kryerjen e testeve antidoping në përfundim të sezonit si dhe ashpërsimin e masave në rast të ndonjë rezultati pozitiv në to.  

Top Channel