BE vazhdon fondet për të ndihmuan tranzicionin

09/12/2011 00:00

Shtefan Fule – Komisioni Europian aprovoi propozimin për të ripërtëritur mbështetjen e
tij financiare të parapranimit, pjesë e instrumentit të Asistencës së
Para-Aderimit (IPA), i cili do t’i japë formë të ardhmes së Shqipërisë
dhe të të gjithë rajonit në vitet në vazhdim.

Ne propozojmë një investim prej 14.1 miliardë euro ndërmjet viteve 2014 dhe 2020, për të mbështetur reformat në vendet që duan të integrohen në BE. Kjo i shtohet shumës prej 11.5 miliardë euro, të cilën e kemi dhënë nga viti 2007 deri në 2013-n. Ky angazhim i ripërtërirë u jep mundësi të reja vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit për të zhvilluar ekonomitë e tyre, për të forcuar qeverisjen dhe për t’u përgatitur për anëtarësim të ardhshëm në Bashkimin Europian.

Me këtë propozim, ne japim një sinjal të qartë solidariteti dhe angazhimi të vazhdueshëm për integrimin Europian, si dhe për mbështetje ndaj reformave demokratike. Pavarësisht vështirësive aktuale ekonomike, dera e BE-së qëndron e hapur për të gjitha vendet që plotësojnë kriteret e nevojshme. Lidhur me krizën ekonomike, kjo tregon më shumë se kurrë më parë që ne kemi nevojë për një instrument të efektshëm për të ndihmuar tranzicionin e rajonit, i cili do të sjellë më shumë stabilitet dhe siguri në të gjithë Europën. Kjo është e gjitha ajo që përmban propozimi i ri. Ne marrim përsipër ruajtjen e të njëjtit nivel financimesh duke filluar nga dita e sotme deri në vitin 2020, për të siguruar mbështetje financiare afatgjatë për procesin e reformave. Në të njëjtën kohë, ne propozojmë përmirësime konkrete në mënyrën se si do të shpërndahen këto fonde për të arritur rezultate akoma më të mira. Këto instrumente të reja do të na lejojnë t’u përgjigjemi akoma më mirë nevojave dhe synimeve të partnerëve tanë. Mbështetja jonë ndaj vendeve partnere do të bëhet më e shpejtë dhe me fleksibël; duam t’i shpërblejmë më të mirët. Duam të inkurajojmë projekte të cilat janë drejtpërsëdrejti në përfitim të qytetarëve, si për shembull një administratë dhe shërbime publike më të mira, një gjyqësor më të mirë dhe një luftë më të efektshme kundër krimit dhe korrupsionit, infrastrukturë të përmirësuar dhe mjedis më të shëndetshëm. Së fundi, duam që asistenca e re të jetë më fleksibël, duke siguruar që fondet të mund të shpenzohen më mirë aty ku ekzistojnë nevojat dhe kapacitetet për t’i absorbuar ato. Çfarë përmban programi për Shqipërinë? Shqipëria tashmë ka kufij detarë më të sigurt, pasi financimi i BE-së ka lejuar pajisjen me 7 mjete lundruese për Policinë Kufitare Shqiptare. Programi i ri IPA do të na lejojë të adresojmë më mirë nevojat specifike të Shqipërisë, pasi do të sjellë më shumë financime për zhvillimin ekonomiko-social të Shqipërisë. Mekanizmat novatore do të mundësojnë më tepër hua për infrastrukturën dhe reformat sociale nga bankat ndërkombëtare.

*Ky artikull botohet në kuadrin e adoptimit nga Komisioni Europian të propozimit lidhur me Instrumentin e Para-Aderimit (IPA), më 7 dhjetor 2011.

Gazeta “Shqip”

Top Channel