Alonso: Rikthehemi tek titulli në 2012-n

09/12/2011 11:50

Pas paraqitjeve zhgënjyese të sezonit të fundit, Ferrari dhe Alonso janë të vendosur të rikthehen protagonistë në Botërorin e Formulës 1.

”Është vetëm një çështje kohe përpara se të rikthehemi të fitojmë. Unë jam 30 vjeç dhe kam përpara dhe disa vite të mira në Formulën 1. E konsideroj veten në kulmin e karrierës dhe ndodhem në skuadrën më të mirë. Nuk kam asnjë dyshim mbi faktin që titulli do të vijë”, shprehet Alonso, në një intervistë të publikuar të premten në të përditshmen spanjolle “AS”.

Fernando ka fituar dy herë titullin, për herë të fundit në vitin 2006, ndërsa Ferrari nuk arrin të shpallë një pilot kampion që prej suksesit të Kimi Raikkonen, në vitin 2007. “Nuk i rikthehem shpesh të shkuarës. E di që mund të kisha fituar më shumë tituj, por duke menduar për ato herë që i kam shkruar shumë pranë, vetëm sa do të humbja kohë. E rëndësishme është të mendojmë për të tashmen dhe të ardhmen”, shtoi spanjolli.

Në dy sezonet e fundit, edhe pse nuk ka mundur të fitojë, Alonso pretendon se ka qenë më i pjekur se kurrë. “Jam një pilot shumë më i kompletuar se në të shkuarën. Mbase diçka e tillë është e vështirë të shikohet atëherë kur nuk arrin të fitosh, por në cilësinë e pilotimit, kam qenë më i saktë se kurrë në këto dy vjet. Kur të kemi edhe mjetin e duhur, nuk ka dyshime që do t’ia dalim mbanë”, përfundoi Alonso.

Top Channel