Topi, mesazh për 8 Dhjetorin

08/12/2011 00:00

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës Bamir Topi përshëndeti 8 Dhjetorin, “Ditën Kombëtare të Rinisë”.

Në mesazh kreu i shtetit shkruan se 21 vjet më parë studentët e Universitetit të Tiranës nisën protestat politike për të rrëzuar sistemin diktatorial. Ata vinin nga qytete dhe përvoja të ndryshme familjare, por të gjithë kishin të përbashkët vizionin dhe idealin e madh për një Shqipëri ndryshe, një vend të lirë, demokratik dhe europian. Ata guxuan, mposhtën frikën dhe me një mbështetje të gjerë intelektuale e qytetare e detyruan regjimin të pranojë pluralizmin politik.

Sipas presidentit, për shumë motive Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 është dhe mbetet një nga ngjarjet më kulmore në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

“Asnjëherë më parë nuk kemi pasur një lëvizje kaq elitare, përfaqësuese dhe idealiste, me një ndjenjë të lartë qytetarie dhe përgjegjegjësie ndaj vendit dhe fateve të tij. Ai brez pati kurajon t’i kundërvihej njërit prej regjimeve më staliniste në Europë, pati mençurinë të shpaloste një program kërkesash politike thellësisht demokratike dhe europiane, si dhe pati aftësinë të administrojë kontributet më të cmuara të mendimit liberal dhe intelektual të kohës. Nderimi ynë shkon sot tek të gjithë ata të rinj studentë që me 8 dhjetor ’90-të ndryshuan njëherë e mirë historinë e vetes, familjes dhe të mbarë Shqipërisë. Një nderimi i veçantë shkon për Azem Hajdarin, studentin udhëheqës të Lëvizjes Studentore, për Arben Brocin dhe emra të tjerë përfaqësues të kësaj lëvizjeje, që u ndanë nga jeta në përpjekje për të mbrojtur dhe promovuar parimet politike për të cilat u ngritën në Dhjetor ’90-të” – vijon mesazhi I kreut të shtetit.

Në mesazhin për këtë ditë Presidenti i Republikës vë në dukje edhe faktin se demokracia do të kishte një bilanc edhe më pozitiv, nëse klasa politike shqiptare e tranzicionit do të ishte udhëhequr në veprimet e saj nga të njëjtat parime idealiste dhe qytetare të Lëvizjes Studentore të vitit ‘90-të.

Top Channel