Oketa kundër prishjes së Piramidës

08/12/2011 00:00

Ish-ministri i Mbrojtjes, deputeti i Partisë Demokratike, me profesion
inxhinier ndërtimi Gazmend Oketa është shprehur sërish kundër prishjes
së Piramidës, një objekti me vlera arkitektonike dhe pikëreferimi për
takimet e të rinjve.

Deklarata është bërë gjatë një takimi të organizuar nga Parlamenti Rinor i Durrësit në Ditën Kombëtare të Rinisë. Të rinjtë durrsakë gjatë këtij takimi e kanë komentuar  si një mentalitet të së shkuarës prishjen e piramidës në zemër të kryeqytetit dhe kanë kërkuar mendimin e ish- studentit të dhjetorit të 1990-s lidhur me shkatërrimin e saj.
 
Gjatë këtij takimi, deputeti Oketa ka sjellë kujtimet e tij nga ato ditë dhjetori të vitit 1990 dhe në vazhdim, ai pohoi se pas 21 vjetësh ndryshimi që ka bërë vendi është tepër i prekshëm, por ende ka shumë për të bërë, me qëllim realizimin e ëndrrës europiane.

Ai ftoi të rinjtë durrsakë të bashkohen të gjithë nën ëndrrën “Për një qytet dhe Shqipëri më të mirë”, duke i këshilluar që angazhimin politik ta bëjnë në një moshë më të pjekur dhe të mos e marrin me të njëjtën lehtësi me të cilën zgjedhin të bëjnë tifo për një klub futbolli.

Top Channel