Ndeshja e bamirësisë, Klubi i Patriotëve blen 250 bileta

08/12/2011 00:00

Klubi i Patriotëve të Rinj i është përgjigjur apelit për të mbështetur
ndeshjen e bamirësisë në ndihmë të jetimëve të të shtëpisë së fëmijës
“Zyber Hallulli”.

Të rinjtë kanë blerë 250 bileta për ndeshjen e futbollit që do të zhvillohet të premten në orën 14.00 në stadiumin “Qemal Stafa” mes Tifozave Kuq e Zi dhe gazetarëve.

Një prej nismëtarëve të veprës së bamirësisë që kryhet për herë të parë në Shqipëri, drejtuesi i qendrës mediatike kurajo, Hamza Hatika tha se llogaria bankare e hapur për fëmijët jetimë do të presë donacione deri në fund të vitit.

Një përfaqësi e gazetarëve dhe grupit ‘Tifozët Kuq e Zi’ vizituan nje dite me pare shtëpinë e fëmijës, ‘Zyber Hallulli’ në prag të aktivitetit të bamirësisë që do të zhvillohet ditën e premte.

Në këtë takim, femijët u mësuan me programin, ndërkohë që u bë një apel edhe në drejtim të gjithë qytetarëve për pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Në të njëjtën kohë u kërkua edhe kontributi nga ana e tyre për këta fëmijë në mënyrë që edhe kjo kategori e shoqërisë të festojë sa më mirë festat e fundvitit.

Aktivitieti i bamirësisë do të zhvillohet në ambientet e stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’ ku në program është edhe zhvillimi i një ndeshje mes gazetarëve dhe grupit ‘Tifozët Kuq e Zi’. Të ardhurat që do të përfitohen nga ky aktivitet do të shkojnë për llogari të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”.

Top Channel