Qeveria shqiptare ka angazhuar gjatë tre viteve të fundit 62 milionë euro për të blerë 55 hektarë tokë të zënë nga ndërtimet pa leje, në një proces që duket se për shkak të kostos së stërmadhe, nuk do të mbyllet kurrë.
Në tetë vendime të ndryshme të ndërmarra mes viteve 2008 dhe 2011, qeveria ka përdorur 8.7 miliardë lekë për të blerë 548 mijë metra katrorë tokë me çmim mesatar prej 16 mijë lekësh për metër katror.
Duke supozuar që çdo ndërtim pa leje ka zënë 500 metra katror, nga këto tetë vendime duhet të kenë përfituar rreth 1 mijë ndërtime pa leje. Në total, qeveria po shpenzon dhjetëra-mijëra euro vetëm për të blerë tokën nga pronarët dhe për t’ia shitur atë ndërtuesve pa leje.
Problemi është se vetë qeveria ka deklaruar se në Shqipëri ka mbi 220 mijë ndërtime pa leje dhe me një kosto të tillë, procesi mund të kërkojë mbi 100 vjet që të mbyllet.
Procesi
Qeveria shqiptare vendosi në vitin 2006 të nisë legalizimin e ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin e vendit, duke i dhënë mundësi ndërtuesve pa leje të blinin parcela toke nga 100 në 500 metra katrorë për çmimet simbolike të 100 deri në 500 mijë lekëve.
Para zgjedhjeve të vitit 2009, kur u pa që shumica e ndërtuesve pa leje nuk pranonin të paguanin as edhe çmimin simbol, qeveria pranoi bonot e privatizimit si mjet pagese për gjysmën e vlerës së tokës. Bonot e privatizimit, një letër me vlerë e emetuar në vitin 1996, ka sot në treg një vlerë të barabartë me 1.5 për qind të çmimit nominal.
Një proces i regjistrimit paraprak të ndërtimeve pa leje vijoi në vitin 2007, në fund të të cilit, qeveria deklaroi se kishte marrë 220 mijë aplikime. Shifra qe shumë e dyshimtë nëse marrin parasysh totalin e popullatës së vendit dhe normat e migrimit të brendshëm, por ndonjë mënyrë konfirmimi nuk pati.
Por qeveria ngeci më vonë, kur mësoi se nuk qe e mundur që të kryente shpronësim de facto të pronarëve, tokat e të cilëve qenë zënë nga ndërtimet pa leje.
Gjykata Kushtetuese sanksionoi që qeveria duhej fillimisht ta blinte tokën dhe pas kësaj mund t’ia shiste ndërtuesve informalë. Kështu nisi fillimisht procesi i blerjes së tokës me çmim tregu nga qeveria.
Ligj pa laps
Askush nuk është në gjendje të thotë se sa është sipërfaqja e tokës së zënë, se sa është toka e zënë me origjinë pronësie private, se çfarë vlere ka kjo tokë dhe se si do të financohet ky proces.
Shifra të hapërdara janë disa: Agjencia e ngarkuar me legalizimet deklaron se ka 220 mijë dosje ndërtesash në përpunim; kryeministri Berisha ka deklaruar një herë se toka e zënë është 700 hektarë.
Gjithsesi, për sa kohë nuk ka një analizë të qartë se sa janë përmasat e procesit, se sa është kostoja e si mund të përballohet kjo kosto, legalizimet duket se janë të destinuara të zgjasin pa fund, ku siguria e pronësisë do të mbetet sërish subjekt paqartësie juridike dhe praktike.
Skemë piramidale
Kostoja e procesit po rezulton sakaq marramendëse. Shifra e shpenzuar deri tani, që arrin në 62 milionë euro, tregon se për legalizimin e të gjitha ndërtimeve informale mund të kërkohen miliarda euro, të cilat qeveria nuk i disponon dhe rrjedhimisht nuk ka mundësi t’i paguajë.
Por ndërkohë, një skemë financiare e ngjashme me skemën piramidale duket se po zhvillohet në këtë proces. Paratë e arkëtuara nga të gjithë ndërtuesit pa leje po përdoren për të kompensuar një pjesë të vockël të pronarëve.
Dhe duke qenë se qeveria duhet të paguajë mesatarisht 5 mijë lekë për metër katror tokë kompensim, ndërkohë që ka marrë nga ndërtuesit pa leje vetëm 5 dollarë, atëherë rezulton që dhjetë ndërtues pa leje paguajnë për të legalizuar vetëm një ndërtesë.
Rrjedhimisht, siç ndodhi me skemat piramidale për të cilat shqiptarët janë të famshëm, edhe në këtë rast, ata që legalizohen të parët fitojnë 90 për qind mbi investimin e tyre paraprak, por 90 për qind e atyre që kanë paguar nuk do të përfitojnë.
Përfituesit
Qeveria ka bërë të ditur listat me pronarët, toka e të cilëve është zënë dhe që po marrin paratë, por nuk ka bërë të ditur listat e të legalizuarve që përfitojnë nga kjo shitblerje toke nga ana e shtetit.
Por të dhëna dytësore tregojnë një panoramë të hidhur, ku përfituesit kryesorë të procesit të legalizimit rezultojnë shpesh kompani ndërtimi që kanë bërë pallate përtej titujve të pronësisë ligjore.
Procesi i legalizimit u nis si një punë në ndihmë të familjeve të varfra që kanë ndërtuar shtëpi të vogla me shumë mundim në zona si Bathorja apo Këneta e Durrësit. Por janë pikërisht kjo kategori njerëzish të varfër që mund të dalë e humbur nga kjo shaka politike që vijon prej shumë vjetësh.
Top Channel