Jos Verstappen është shumë pak i njohur në botën e Formulës 1. Piloti hollandez ka qenë shok skuderie me Michael Schumacher në kohën kur të dy pilotonin për Benetton në vitin 1994 dhe më pas ka pilotuar për skuderi të vogla.
Piloti hollandez akuzon gjermanin 7 herë kampion bote në F1 se për të arritur fitoren e titullit të parë botëror është ndihmuar në mënyrë të parregullt nga një sistem elektronik në makinë. Për këtë gjë ka pasur zëra në atë vit, por dyshimet nuk u provuan kurrë dhe tani Verstappen akuzon hapur.
“Unë e di çfarë ka ndodhur atë vit kur pilotoja bashkë me Schumacher një makinë Benetton. Njerëzit mund të mendojnë se po justifikohem, por gjithmonë e kam ditur se makina e tij ishte ndryshe nga e imja. Schumacher kishte një sistem elektronik që e ndihmonte në pilotim. Kur kam pyetur Briatoren (shefin e ekipit) ai mu përgjigj se nuk donte ta diskutonte këtë gjë. Kjo përgjigje më bëri të kuptoja gjithçka”, shprehet Verstappen për gazetën hollandeze ‘Nusport’.
Për ta mbyllur, piloti që në Formula 1 ka pilotuar për skuderi si Arrows dhe Minardi uli vlerat e Michael Schumacher: “Ashtu si të gjithë pilotët, Michael varej nga makina. Ai nuk ishte Superman dhe në garat me makina Kart kurrë nuk ka dalë para meje.”
Top Channel