
Një shkelje syri e mbrojtësit të Dinamos së Zagrebit Domagoj Vida dhe fitorja jo shumë e zakontë 1-7 e Lionit në Kroaci kanë mjaftuar që mediat të shumta europiane të aludojnë për një ndeshje të trukuar në Champions.
Për t’u kualifikuar francezëve u duhej një fitore me 5 gola diferencë dhe mundja Ajaksit me të paktën 3 gola. Kjo mundësi shumë e vogël, për të mos thënë e pamundur u bë realitet në vetëm 45 minuta.
Holandezëve të Frank De Boer iu anuluan dy gola të rregullt, gjë e cila e detyroi teknikun të deklarojë se pas këtyre gjërave fshihen skenare të pista.
Tifozët e skuadrës së Ajaksit kanë publikuar në rrjetet sociale një dokument ku shihet se me 3 dhjetor të këtij viti klubi i Lionit ka derdhur 2.1 mln stërlina në llogarinë e klubit kroat.
Ndërkohë autoriteti garantues për lojrat online në Francë ka theksuar se pas verifikimeve në këtë shtet nuk është vërejtur asnjë anomali në bastet e vëna për ndeshjen Dinamo Zagreb – Lion.
Pas gjithë këtyre aludimeve, UEFA ka theksuar se nuk do të hapë hetim për ndeshjen Dinamo –Lion që përfundoi 1-7 në favor të francezëve.
Në një komunikatë për shtyp, UEFA ka pohuar se nuk ka vërejtur asnjë parregullsi në vendosjen e basteve për këtë sfidë. UEFA ka një sistem automatik ku zbulohen të gjitha lëvizjet e dyshimta para dhe gjatë ndeshjeve të cilat mendohet se janë të trukurara.
Top Channel